Në ditën e tij të parë në detyrë, Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, ka mbledhur Shtabin e posaçëm dhe ekipin drejtues, sa i takon situatës në vendet e Lindjes së Mesme.
Siç shkruan në “X”, në fokus të diskutimeve ishin problematikat dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë, qoftë ata rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.
“Shtabi i posaçëm i ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë”, thekson ministri.
“Strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t’iu përgjigjur çdo situate emergjente. Siguria dhe mirëqenia e shtetasve tanë mbeten përparësi absolute“, përfundon Hoxha.“
Për dikë që ka shërbyer me devotshmëri për më shumë se tre dekada e gjysmë si nëpunës publik dhe si anëtar i Shërbimit të Jashtëm, nuk ka nder më të madh sesa ngjitja në përgjegjësinë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në një moment kaq të rëndësishëm për vendin tonë.
Dua të falënderoj Kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj për besimin që më kanë dhënë, një privilegj të madh por edhe detyrim i lartë ndaj shtetit dhe qytetarëve të Shqipërisë“, ishte ky mesazhi i parë i Hoxhës fill pas marrjes së kësaj detyre.
Ai ka premtuar se do të punojë me përkushtim, përgjegjësi dhe besim në potencialin e vendit tonë, i udhëhequr nga interesi kombëtar. Eksperienca e gjatë në shërbimin diplomatik, siç e ka shprehur vetë ai, i ka dhënë mundësinë të shohë nga afër rritjen e peshës dhe besueshmërisë së vendit tonë në arenën ndërkombëtare.