Shorti për sezonin e ri të Ligës së Kombeve do të hidhet sot (e enjte) në orën 18:00 në Bruksel, ku kombëtarja e Kosovës do të mësojë kundërshtarët e saj në Ligën B.
“Dardanët” ndodhen në vazon e katërt në Ligën B së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut, ndërsa kundërshtarët e mundshëm janë të ndarë si më poshtë:
Vazo 1: Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli
Vazo 2: Zvicra, Bosnja dhe Hercegovina, Austria, Ukraina
Vazo 3: Sllovenia, Gjeorgjia, Republika e Irlandës, Rumania
Vazo 4: Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Kosova
Për shkak të vendimit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA, Kosova nuk mund të shortohet në të njëjtin grup me Bosnjën dhe Hercegovinën, çka do të thotë se përfaqësuesja jonë nga vazo e dytë mund të përballet vetëm me Zvicrën, Austrinë ose Ukrainën.
Ndeshjet e para janë planifikuar nga 24 deri më 26 shtator 2026, ndërsa raundi i fundit i fazës së grupeve do të zhvillohet nga 15 deri më 17 nëntor 2026. Fituesit e secilit grup në Ligën B do të sigurojnë ngjitjen në Ligën A për sezonin pasardhës, ndërsa kombëtarja e vendit të fundit do të bie në Ligën C.
Përveç kësaj, përzgjedhjet e vendeve të dyta dhe të treta nga secili grup do të avancojnë në play-off-et e ngjitjes/rënies nga kategoria, të cilat luhen në dy ndeshje, në shtëpi dhe jashtë. Vendet e dyta nga Liga B do të përballen me vendet e treta nga Liga A për ngjitje, ndërsa vendet e treta nga Liga B do të luajnë për mbijetesë kundër vendeve të dyta nga Liga C.
Këto ndeshje do të zhvillohen në mars të vitit 2027. Në fazën eliminatore, ekipet nga ligat më të larta do të presin ndeshjet e kthimit, pas të cilave fituesit do të sigurojnë pjesëmarrjen në ligën më të lartë për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Një ditë pas shortit, UEFA do të përcaktojë edhe orarin zyrtar të ndeshjeve të Kosovës në sezonin e ri. /Telegrafi/