Roli i shoqërisë civile është jashtëzakonisht i rëndësishëm në Kosovë në të gjitha etapat.
Shoqëria civile ka qenë historikisht një nga shtyllat kryesore të organizimit shoqëror, duke luajtur rol kyç në mbrojtjen e interesit publik, dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe mbikëqyrjen e pushtetit.
Nga vitet ’90, kur qytetarët u vetorganizuan për mbijetesë nën okupim, e deri në periudhën e pasluftës dhe shtetndërtimit, sektori civil ka reflektuar drejtpërdrejt rrethanat politike dhe shoqërore të vendit, ka deklaruar aktivisti i këtij sektori, Taulant Hoxha.
Në “Përballje Podcast”, Hoxha, ish-drejtor ekzekutiv i KCSF-së, ka theksuar se shoqëria civile nuk duhet parë si një sektor i ndarë nga shoqëria, por si një hapësirë e gjerë ku përfshihen individë, nisma joformale dhe organizata që veprojnë jashtë pushtetit politik, biznesit dhe interesave familjare.
– YouTube www.youtube.com
“Shteti, biznesi dhe familja janë tri fusha të ndara. Çdo veprim shoqëror që nuk i takon këtyre, hyn në domenin e shoqërisë civile”, thekson Hoxha në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Ai ka nënvizuar se aktivizmi qytetar fillon nga nivelet më të vogla, nga një lagje apo komunitet lokal, e jo domosdoshmërish nga organizatat e mëdha.
Tri etapat e shoqërisë civile – nga mbijetesa te shtetndërtimi dhe mbikëqyrja
Sipas Hoxhës, në vitet ’90 shoqëria civile në Kosovë ishte pothuajse e barabartë me vetë shoqërinë, pasi qytetarët u organizuan për arsim paralel, shëndetësi, ndihmë humanitare dhe dokumentim të dhunës. Pas luftës, fokusi u zhvendos në rindërtim, pajtim dhe ndërtim institucionesh, ndërsa OJQ-të u shndërruan në mekanizmin kryesor për kanalizimin e fondeve ndërkombëtare.
“Me konsolidimin e institucioneve pas shpalljes së pavarësisë, një pjesë e madhe e shoqërisë civile u profilizua në fusha si ligjbërja, politikëbërja dhe lufta kundër korrupsionit. “Ishte e domosdoshme mbikëqyrja, sepse me ndërtimin e shtetit u hapën edhe hapësira për keqpërdorime”, thekson ai, shkruan Telegrafi.
Tulant Hoxha në Përballje Podcast me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto: RIdvan Slivova
Polarizimi dhe kriza e besimit
Megjithatë, vitet e fundit sektori po përballet me sfida të reja. Hoxha vlerëson se polarizimi shoqëror, dominimi i agjendave ditore në media dhe reduktimi i hapësirës për debat të thelluar kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në rolin e shoqërisë civile.
“Hapësira publike është uzurpuar nga një numër shumë i vogël njerëzish që flasin për gjithçka. Kjo e vështirëson që zërat profesionalë të shoqërisë civile të dëgjohen”, thotë ai, duke shtuar se shumë ekspertë hezitojnë të dalin publikisht për shkak të keqpërdorimit të deklaratave dhe mungesës së integritetit në debatin medial.
Fondet bien, por shoqëria civile nuk vdes
Ndërprerja ose zvogëlimi i fondeve nga donatorë ndërkombëtarë, përfshirë USAID-in, ka krijuar vështirësi serioze për shumë organizata. Megjithatë, Hoxha thekson se shoqëria civile nuk varet nga fondet, por nga qytetarët.
“Shoqëria civile nuk vdes pa fonde. Ajo vdes pa qytetarë dhe pa angazhim qytetar”, deklaron ai, duke theksuar nevojën për rikthim të pronësisë qytetare mbi aktivizmin, ndërtim të hapësirave komunitare dhe sigurim të fondeve vendore, përfshirë bizneset dhe individët e pasur.
Ripozicionim, jo zhdukje
Sipas Hoxhës, shoqëria civile në Kosovë nuk është në zhdukje, por në një fazë ripozicionimi. Për herë të parë pas shumë vitesh, po shfaqen gjithnjë e më shumë nisma që vijnë nga poshtë-lart, të udhëhequra nga vetë komunitetet dhe jo të diktuara nga donatorët.
“Është një proces që kërkon kohë, strategji dhe bashkëpunim. Nëse organizatat hyjnë në luftë për mbijetesë kundër njëra-tjetrës, humbin të gjithë. Zgjidhja janë koalicionet dhe ndarja e qartë e roleve”, përfundon ai.
Ai ka folur edhe për të ardhmen e shoqërisë civile në Kosovë, rolin e OJQ-ve dhe mbështetjen e donatorëve nga shumë shtete në nivel global, duke filluar nga SHBA-ja, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Suedia, Japonia, Franca, Luksemburgu e shumë shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. /Telegrafi/