Shtetet e Bashkuara po tërheqin personelin nga bazat kryesore ushtarake në Lindjen e Mesme si masë paraprake, për shkak të tensioneve të rritura pas protestave në Iran, njofton Sky News.
Më herët, SHBA-ja kishte këshilluar personelin të largohej nga një bazë kyçe ushtarake në Katar.
Para sulmeve të mundshme amerikane në Iran gjatë luftës 12-ditore në qershor, disa anëtarë të personelit u zhvendosën gjithashtu nga bazat në rajon.
Sipas një zyrtari iranian, Teherani ka paralajmëruar se do të godasë bazat amerikane në rajon si hakmarrje për çdo sulm nga Uashingtoni.
Analistët e sigurisë thonë se lëvizja e SHBA-së tregon shqetësime serioze mbi stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe rritjen e tensioneve ndërmjet dy vendeve.
Ndryshe, Irani ka paralajmëruar vendet fqinje se do të synojë bazat amerikane në shenjë hakmarrjeje për çdo sulm nga Uashingtoni.
Agjencia e lajmeve Reuters citon një zyrtar të lartë që ka thënë se “Teherani u ka bërë të ditur vendeve të rajonit, nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe deri te Turqia, se bazat amerikane në këto vende do të sulmohen nëse SHBA sulmon Iranin… duke u kërkuar këtyre vendeve të parandalojnë Uashingtonin që të sulmojë Iranin”. /Telegrafi/