Një bombardues i madh amerikan që mund të mbajë 24 raketa ka zbarkuar në Mbretërinë e Bashkuar pasi Sekretari amerikan i Luftës paralajmëroi për një “rritje” të sulmeve ndaj Iranit.
B-1 Lancer, i gjatë rreth 44.5 metra, ka një hapje krahësh prej rreth 41.7 metra, peshon 86 tonë dhe është bombarduesi më i shpejtë i Forcave Ajrore të SHBA-së, sipas Boeing, duke arritur shpejtësi mbi 900 milje në orë (rreth 1,450 km/h).
“The Bone” ka sisteme të avancuara radari dhe GPS për të goditur objektivat, si dhe pajisje elektronike për bllokimin e sinjaleve (jammers), paralajmërime radari dhe një sistem mashtrimi për të shmangur zbulimin nga armiku, shkruan skynews.
B-1, i cili është përdorur në Siri, Libi, Afganistan dhe Irak, drejtohet nga një ekuipazh prej katër personash dhe mund të mbajë deri në 34 tonë armë dhe pajisje.
Një bombardues u fotografua duke mbërritur në bazën ajrore RAF Fairford në Gloucestershire të premten, pasi kryeministri britanik, Sir Keir Starmer i dha SHBA-së leje për të kryer sulme mbrojtëse ndaj objekteve të raketave të Iranit nga bazat britanike.
Zyrtarë perëndimorë konfirmuan të mërkurën se aeroplanët amerikanë pritej të arrinin në këtë bazë në ditët në vijim.
Protesta priten këtë pasdite në RAF Fairford për të kundërshtuar çdo përdorim të bazës nga bombarduesit amerikanë. /Telegrafi/