Në Kongresin amerikan, përfaqësues të administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump mbajtën një takim të mbyllur, në të cilin senatorëve dhe kongresistëve u zbuluan informacione rreth luftës që kjo vend, së bashku me Izraelin, po zhvillon kundër Iranit.
Një nga pjesëmarrësit në takim ishte edhe senatori Chris Murphy, demokrat nga shteti Connecticut, i cili zbuloi disa detaje të takimit, duke theksuar se nuk mund të tregojë gjithçka sepse shumë gjëra janë të klasifikuara si sekrete.
“Na u tha se shkatërrimi i programit bërthamor të Iranit nuk është një nga qëllimet, gjë që më habiti sepse Trump vazhdimisht thotë se ky është një nga qëllimet kryesore të këtij konflikti. Sigurisht, sulmet ajrore nuk mund ta shkatërrojnë materialin bërthamor”, tha Murphy.
Ai u ndal edhe te çështja e “ndryshimit të regjimit”, që shpesh ka qenë politikë amerikane në konfliktet në këtë pjesë të botës, shkruan aa.
“Na konfirmuan se ndryshimi i pushtetit nuk është në listën e objektivave. Ata do të shpenzojnë miliarda dollarë nga taksapaguesit në një luftë ku shumë amerikanë do të vdesin, ndërsa regjimi do të mbetet i njëjtë, ndoshta edhe më radikal ndaj SHBA-së”, shkroi Murphy.
Ai gjithashtu zbuloi se cilat janë objektivat e luftës sipas interpretimit të tij, pas këtij takimi të mbyllur.
“Duket se qëllimi është të shkatërrohen raketat, dronët dhe anijet. Një pyetje i zuri plotësisht në befasi: Çfarë ndodh kur ata të fillojnë t’i ndërtojnë përsëri? Ata treguan se do t’i bombardojnë sërish, që do të thotë një luftë e përhershme”, shtoi ai.
Në fund, ai u ndal veçanërisht te çështja e Ngushticës së Hormuzit, përkatësisht vendimit të autoriteteve në Teheran për ta mbyllur atë për anijet nga Izraeli, SHBA-ja dhe vendet evropiane.
“Për këtë çështje ata ende nuk kanë asnjë plan. Nuk mund të flas më shumë për mënyrën se si Irani po e mbyll këtë kalim, por administrata nuk e di si ta hapë përsëri në mënyrë të sigurt. Kjo është e pafalshme, sepse kjo pjesë e katastrofës ishte plotësisht e parashikueshme”, shtoi senatori amerikan. /Telegrafi/