Arsyetime boshe dhe banale, i ka quajtur Ziadin Sela justifikimet e qeverisë për ndërprerjen e ndërtimit të segmentit Strugë-Qafë Thanë, në kuadër të projektit për Korridorin 8.
Sela tha se nëse duhet të flitet për standardet e UNESCO, atëherë duhet të flitet për ndërtimet pa leje në rajonin e Liqenit të Ohrit.
“Nëse duhet të flasim për UNESCO-n, duhet të flasim për objektet pa leje, të cilat janë me mijëra në Liqenin e Ohrit, në qytetin e Ohrit dhe Strugës.
Nëse flasim për zonën e UNESCO-s, ku në kontekst më tepër vendoset Struga sesa Ohrit, duhet thënë një e vërtet se Korridorit 8, nga Trebenishta në Qafë Thanë, në të gjithë këtë trajektore, nga Liqeni i Ohrit është së paku në vijë ajrore larg 1 km, nëse flasim për segmentin e autostradës Kërçovë-Ohër dhe Ohrin, ky segment, kjo linjë ajrore e afërsisë së autostradës me Liqenin e Ohrit, ka vende ku kjo distancë nuk është as edhe dhjetëra metra. Kështu që është e qartë, është vazhdimësi i një politikëbërje të sëmurë”, tha Sela.
Sela i bëri thirrje faktorit politik shqiptar në pushtet dhe faktorit ndërkombëtar që të reagojnë për këtë vendim.
Lidhur me vulat e partisë ASH, Sela tha se do të vazhdojë betejën në Gjykatën e Apelit për të marrë emrin e partisë Aleanca për Shqiptarët.
Sela tha se ka krijuar një parti rezervë, që pavarësisht vendimit gjyqësor, të mund të garojë në zgjedhje pa u varur nga, siç thotë ai, vulat e partive të tjera./Telegrafi/