Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka mbërritur në Australi në prag të paraqitjeve të saj në dy evente të rëndësishme që do të mbahen në këtë vend.
Artistja britanike u pa duke zbritur në aeroportin e Sidneit të dielën, ku dukej në humor të shkëlqyer dhe plot energji.
35-vjeçarja u shfaq me një stil casual por tejet elegant, shkruan DailyMail.
Ajo kishte veshur një kanotiere gri të ngushtë, të kombinuar me një këmishë me vija, të hapur dhe me prerje të stilit “boyfriend”, e cila dukej sikur mund t’i përkiste bashkëshortit të saj, regjisorit nga Zelanda e Re, Taika Waititi.
Rita kishte zgjedhur rehati për udhëtimin, duke e kompletuar paraqitjen me pantallona të zeza sportive dhe atlete të bardha Nike.
Ajo e mbrojti fytyrën e saj të njohur me syze dielli të markës luksoze, ndërsa flokët bionde i kishte mbledhur pas koke dhe i kishte mbuluar me një shami bardh e zi.
Pamjes i shtoi disa aksesorë ari, ndërsa grimi ishte minimal, duke ruajtur një paraqitje natyrale.
Prekja finale e stilit të saj ishte një çantë luksoze Hermès Birkin prej lëkure të zezë, me vlerë rreth 28 mijë dollarë australianë (16,700 euro).
Rita pritet të ndajë një çmim në eventin “Vogue Forces of Fashion” në Sidnei gjatë këtij muaji, si dhe do të performojë në Formula 1 Grand Prix 2026 në Melburn, që do të mbahet në muajin mars.
Këto angazhime vijnë pasi artistja foli së fundmi për përvojën e saj si njerkë, duke e cilësuar atë si një “zbulim të madh” në jetën e saj.
Rita dhe regjisori e aktori Taika Waititi kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë në vitin 2022, duke e bërë këngëtaren njerkë të dy vajzave të tij, Te Kāinga o te Hinekāhu, 13 vjeçe, dhe Matewa Kiritapu, 9 vjeçe.
Në një nga komentet e rralla për jetën e saj familjare, Rita tregoi se roli i njerkës ia ka ndryshuar mënyrën se si e sheh botën. Në një intervistë për “The Sun”, ajo u shpreh se ky rol i duket “i lehtë”, por pranoi se e ka ndihmuar të kuptojë se jeta ka shumë më tepër dimensione sesa ato për të cilat shqetësohemi në një moment të caktuar.
“Është vërtet e lehtë. Zgjohemi, ushtrohemi së bashku, ndërsa fëmijët vrapojnë në pistat e vrapimit – është një çështje familjare. Duhet ta them që ka qenë një hapje sysh për mua, për të kuptuar se ndonjëherë ka më shumë në jetë sesa ajo që të preokupon në atë moment. Kam kuptuar se ka shumë më tepër, dhe të bëhesh njerkë ma dha këtë perspektivë”, është shprehur ajo.
Regjisori 50-vjeçar Taika Waititi i ka dy vajzat nga martesa e tij e mëparshme me Chelsea Winstanley, me të cilën u nda në vitin 2018 pas shtatë vitesh martesë.
Vitin e kaluar, Rita dha një intervistë për revistën “Hunger”, ku foli rrallë për martesën e saj, ndërsa u shfaq në një set fotografik mbresëlënës. Ajo theksoi se miqësia e fortë mes saj dhe Taikës është themeli i marrëdhënies së tyre romantike.
“Unë dhe Taika në thelb jemi shokë shumë të mirë dhe, mendoj, thjesht donim të jetonim përgjithmonë në atë element”, ka thënë ajo.
Çifti u martua në një ceremoni sekrete në gusht të vitit 2022, pasi ishte vetë Rita ajo që theu traditën dhe i propozoi martesë partnerit. Ceremonia e tyre modeste në Los Anxhelos u konfirmua publikisht vetëm një vit më vonë. Në një intervistë për “Grazia”, Rita tregoi se gjithçka u organizua spontanisht, “pa asnjë planifikim”.
Pas viteve kur, sipas saj, nuk kishte qenë në marrëdhënien e duhur gjatë “të njëzetave të rrëmujshme”, Rita tha se lidhja me Taikën u ndje “e drejtë dhe e sigurt”.
Çifti nisën lidhjen në mars të vitit 2021, ndërsa e bënë publike romancën e tyre në gusht të po atij viti. Para se lidhja e tyre të merrte drejtim romantik, Rita dhe Taika kishin qenë miq të ngushtë për pesë vite. /Telegrafi/