Prodhuesi estonez, Verge Motorcycles ka njoftuar fillimin e prodhimit të motoçikletës së parë në botë që përdor bateri me elektrolit të ngurtë.
Zhvilluar në bashkëpunim me “startup” finlandez Donut Lab, teknologjia e re e baterisë për modelin TS Pro mbetet kryesisht sekret.
Detajet kyçe, si përbërja kimike, nuk janë zbuluar. Bateria e Donut Lab ka shkaktuar shumë polemika dhe kritika, kryesisht nga Kina, megjithatë janë kryer disa teste që konfirmojnë pjesërisht besueshmërinë e saj. Fillimi i prodhimit përbën një hap të madh përpara.
Kompania pretendon se motoçikleta ofron autonomi të jashtëzakonshme dhe ngarkim ultra të shpejtë. Nëse këto pretendime konfirmohen në kushte reale, TS Pro mund të shënojë një përparim të rëndësishëm në teknologjinë e automjeteve elektrike dhe inovacionin e baterive.
Në muajin janar, Verge prezantoi në CES 2026 motoçikletën e parë me bateri të ngurta, i cili ofron ngarkim 10-minutësh dhe një autonomi prej 595 kilometrash.
Bërthama e motoçikletës TS Pro është bateria me elektrolit të ngurtë e zhvilluar nga Donut Lab, duke e bërë të parën të këtij lloji në një motoçikletë serik. Përdoruesit mund të zgjedhin midis dy konfigurimeve:
Versioni standard: kapacitet total 20,2 kWh (nominal 18 kWh), me autonomi deri në 350 km dhe ngarkim maksimal 100 kW.
Opsioni me autonomi të gjatë: kapacitet total 33 kWh (nominal 30 kWh), me autonomi deri në 600 km dhe mbështetje për ngarkim maksimal 200 kW.
Motoçikleta fuqizohet nga Donut Motor 2.0, që prodhon një fuqi maksimale prej 100 kW (137 kuaj/fuqi) dhe një moment rrotullues impresiv prej 1000 Nm.
Çmimi në SHBA fillon nga 29990 dollarë (rreth 25990 euro) para taksave dhe tarifave, ndërsa opsioni me bateri më të madhe kushton 5000 dollarë shtesë (rreth 4333 euro). /Telegrafi/