Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht tërheqjen e tij nga projekti kontrovers i Superligës Evropiane, pas largimit të Barcelonës në fillim të këtij muaji.
Meqë nuk ka asnjë klub të mbetur në garën e planifikuar për klubet e mëdha, Superliga Evropiane tani zyrtarisht është e ‘vdekur’.
Klubi i fundit që ka njoftuar largimin nga projekti është njëri nga ideatorët kryesor dhe themeluesit e kësaj gare, Real Madridit.
“UEFA, Klubet Evropiane të Futbollit (EFC) dhe Real Madridi kanë arritur një marrëveshje për të mirën e futbollit evropian të klubeve”
“Pas disa muajsh bisedimesh të zhvilluara në dobi të futbollit evropian, UEFA, Klubet Evropiane të Futbollit (EFC) dhe Real Madrid CF njoftojnë se kanë arritur një marrëveshje në parim për të mirën e futbollit evropian të klubeve, duke respektuar parimin e meritës sportive dhe duke theksuar qëndrueshmërinë afatgjatë të klubeve dhe përmirësimin e përvojës së tifozëve përmes përdorimit të teknologjisë”.
“Kjo marrëveshje parimore do të shërbejë gjithashtu për të zgjidhur mosmarrëveshjet ligjore që lidhen me Superligën Evropiane, sapo të zbatohet një marrëveshje përfundimtare”, thuhet në njoftimin zyrtare të Los Blancos. /Telegrafi/