Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas miratimit të buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2026, duke e cilësuar këtë vendim si dëshmi të lidershipit politik dhe funksionimit të demokracisë lokale.
“MIRATOHET BUXHETI I KRYEQYTETIT PËR VITIN 2026”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook, duke shprehur mirënjohje për asamblistët që, sipas tij, dëshmuan përgjegjësi publike dhe pjekuri politike.
Ai ka falënderuar edhe qytetarët e Prishtinës, duke theksuar se me votën e tyre kanë zgjedhur përfaqësues që e kuptojnë mandatin si detyrim për shërbim publik dhe vendimmarrje të përgjegjshme. “Miratimi i buxhetit të Kryeqytetit është imazhi më i qartë se si funksionon demokracia kur asambleistët janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar”, ka theksuar Rama.
Sipas tij, ky vendim përfaqëson ndarjen mes politikës së së kaluarës dhe qeverisjes aktuale. “Kjo është diferenca mes politikës së së kaluarës, që e mbante qytetin peng, dhe qeverisjes që zgjedh të ecë përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje”, ka shkruar ai.
Rama ka theksuar se çlirimi i institucioneve nga kultura e bllokadës hap rrugën për planifikim serioz dhe investime strategjike. “Sot, si Kryeqytet, kemi kënaqësinë dhe përgjegjësinë politike të flasim për zhvillim urban, mirëqenie dhe të ardhme, e jo për sabotime, kriza artificiale dhe interesa të ngushta partiake”, ka deklaruar ai.
Në fund, kryetari i Prishtinës ka vlerësuar se buxheti i miratuar shkon përtej një dokumenti financiar. “Ky buxhet nuk është thjesht një dokument financiar. Është deklaratë politike. Është mesazh i qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë, të ardhmen”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/