Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se janë ndërmarrë masa ndëshkuese dhe procedurale ndaj investitorit dhe përfaqësuesit ligjor në rastin “Don Shtjefën Kurti”, për shkak të mosrespektimit të vendimeve komunale.
Në një postim publik, Rama njoftoi se ndaj kompanisë dhe përfaqësuesit të saj janë shqiptuar gjoba, pasi nuk është zbatuar vendimi për mbushjen e gropës në Llamellat 4 dhe 5.
“Meqenëse investitori nuk ka respektuar vendimin për mbushjen e gropës në Llamellat 4 dhe 5, është iniciuar procedurë kundërvajtëse, duke u shqiptuar gjobë prej 30,000 euro për kompaninë dhe 3,000 euro për përfaqësuesin ligjor”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se deri më tani nuk janë paraqitur vendimet nga inxhinierët mbikëqyrës, duke kërkuar reagim institucional nga organet përkatëse.
“Deri më sot nuk janë prezantuar vendimet e inxhinierëve mbikëqyrës, prandaj kërkojmë nga Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës inicimin e procedurave për tërheqjen e licencave të inxhinierëve mbikëqyrës”, ka shtuar ai.
Rasti “Don Shtjefën Kurti” ka nxitur reagime publike, ndërsa institucionet komunale kanë paralajmëruar vazhdimin e veprimeve në funksion të zbatimit të ligjit. /Telegrafi/