Qytetarë nga Peja kanë bërë thirrje publike për ndërhyrje urgjente institucionale në Rugovë, për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga rrëshqitja e gurëve dhe e dheut, e cila po rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe po shkakton dëme në automjete.
Sipas qytetarëve, situata në Rugovë nuk duhet trajtuar si një dukuri e zakonshme natyrore, por si çështje serioze e sigurisë publike në një rrugë jetike për banorët, turizmin dhe qarkullimin.
Ata kanë kërkuar reagim urgjent në terren dhe pastrim të plotë të rrugës, vlerësim teknik për rrezikun e përsëritjes së rrëshqitjeve, plan konkret me afate për mbrojtje nga rrëshqitjet dhe ortekët, përfshirë rrjeta, mure mbajtëse dhe drenazh, si dhe transparencë për investimin e paralajmëruar në këtë rrugë. Sipas tyre, Rugova ka nevojë për siguri dhe veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Në një postim në Facebook, qytetarja Gresa Berisha i ka bërë thirrje Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku ka kërkuar “reagim urgjent në terren dhe pastrim të plotë”, “vlerësim teknik për rrezikun e përsëritjes”, “plan konkret me afate për mbrojtje nga rrëshqitjet dhe ortekët, përfshirë rrjeta, mure mbajtëse dhe drenazh”, si dhe “transparencë për investimin e paralajmëruar në këtë rrugë”.
Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësin e Komunës së Pejës, Faik Zekaj, i cili ka deklaruar se rruga në fjalë është pastruar disa herë nga operatorët lokalë, në kuadër të bashkëpunimit institucional. Ai ka shtuar se rasti i shembjes së gurëve gjatë fundjavës që shkoi, ku një veturë u dëmtua dhe katër persona mbetën të lënduar, në mesin e tyre dy fëmijë, është parë me shqetësim të madh.
“Ne kemi qenë shumë të shqetësuar për rastin dhe kemi bërë shumë kërkesa ndaj Ministrisë së Infrastrukturës që të mirëmbahet ajo pjesë, pasi që nuk është kompetencë e komunës dhe nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë, pasi nuk është rrugë lokale”.
“Kemi intervenuar në disa raste, vetëm e vetëm që t’u ofrojmë qytetarëve më shumë siguri. Kemi zhbllokuar rrugët përmes operatorëve lokalë, që kanë shkuar atje për hir të bashkëpunimit që kemi, sepse e thashë që ajo rrugë duhet të mirëmbahet nga ministria”.
“Kur ka pasur borë, operatorët kanë shkuar dhe e kanë pastruar, pasi qytetarët e dinë se rrugët lokale mirëmbahen vazhdimisht, por jo edhe rrugët nacionale”.
“Janë disa kompani të komunave të tjera që mirëmbajnë rrugët nacionale, por ato kompani ne nuk i shohim duke kryer obligimin e tyre”.
Aksi rrugor Pejë–Kuqishtë mirëmbahet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, e cila drejtohet nga ministri në detyrë, Hysen Durmishi.
Telegrafi ka kontaktuar edhe me ministrin Durmishi, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje. /Telegrafi/