Një telefonatë me mirësjellje me Trumpin nuk i ndryshon gjërat thelbësore: Kremlini është i pafuqishëm t’i shpëtojë aleatët e tij të dikurshëm.
Nga: Bob Seely / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Për Vladimir Putinin, diktatorin rus, lufta në Iran duhet të duket, për të parafrazuar gabimisht këtu Charles Dickensin në Rrëfenja e dy qyteteve, si koha më e mirë dhe koha më e keqe.
Nga njëra anë, çmimet e naftës janë rritur përkohësisht me shpejtësi, duke ndihmuar mbushjen e arkave të zbrazëta të Rusisë. Çmimi referencë i naftës bruto pothuajse është dyfishuar që nga janari, nga rreth 60 dollarë [51.7 euro] për fuçi në afërsisht 110 dollarë [94.8 euro], para se të bjerë përsëri. Ku do të shkojë tani, kjo varet qartazi nga fakti nëse konflikti vazhdon – Trumpi thotë se është pothuajse i përfunduar, por të shohim – dhe nëse Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon një e treta e naftës së botës, mbetet e hapur.
Megjithëse ekziston një kufi aktual i vendosur nga Perëndimi prej 44 dollarësh [38 euro] për fuçi për çmimin e naftës ruse, ai zbatohet vetëm kur përdoren bankat, sigurimet dhe cisternat perëndimore. Për ta shmangur këtë kufi, Putini përdor “flotën e tij fantazmë”, një armadë prej rreth 1 200 anijesh – operacioni më i madh i tillë i fshehtë në historinë detare. Edhe duke e shitur me zbritje, nafta ruse duhet të sjellë aktualisht rreth 80 dollarë [69 euro] për fuçi nga dërgesat drejt Indisë dhe Kinës. Duke mos paguar për sigurime apo madje edhe për mirëmbajtjen e anijeve shpesh të pasigurta, kjo mund t’i sjellë Rusisë edhe 5-6 dollarë [4.3-5.2 euro] shtesë për fuçi. Çdo gjë e vogël ndihmon.
Por, kjo lehtësi zbehet, për Putinin, përballë pasojave negative të luftës në Iran. Ëndrrat e tij për të ndërtuar një sistem alternativ aleancash për t’iu kundërvënë Perëndimit, janë duke u çmontuar – me një diktaturë pas tjetrës – nga Donald Trumpi, i cili e ka trajtuar atë sikur të ishte një figurë e parëndësishme, në të njëjtin nivel me Keir Starmerin.
Po, të hënën Trumpi dhe Putini folën për luftën. Kjo ka sjellë disa shqetësime se Kremlini po ndikon përsëri në mendimin e presidentit amerikan. Por, të mos nxitojmë me përfundime. Një telefonatë me mirësjellje nuk i ndryshon gjërat thelbësore: nuk është vetëm humbja e aleatëve që e dëmton Putinin, por edhe perceptimi se ai është i pafuqishëm për t’i shpëtuar.
Dy regjime kyçe partnere, Venezuela dhe tani Irani, janë pjesërisht pa kokë. Rënia e socializmit në Kubë, një ishull i cili në mendjen e Putinit qëndron në zemër të aleancave të jashtme të Moskës, është ndoshta vetëm çështje kohe.
Megjithatë, duart e tij janë të lidhura. Putini ka investuar aq shumë në përpjekjen për të ndikuar te Trumpi dhe ekipi negociues amerikan për Ukrainën, saqë nuk mund të shihet tani duke e trajtuar Amerikën diku tjetër si armik. Kremlini donte që negociatat ShBA-Ukrainë të ishin një front i ri në operacion – për të fituar territorin të cilin ushtarët rusë nuk arritën ta merrnin në fushëbetejë. Ai shpresonte se ndikimi i tij do të detyronte ShBA-në ta shtynte Ukrainën të dorëzonte territore dhe qytete; kjo nuk ndodhi.
Por, Putini është aq shumë i interesuar në Shtëpinë e Bardhë të Trumpit saqë strategjia e tij po kthehet kundër tij në rajone të tjera. Bota e tij po shkatërrohet nga e njëjta administratë amerikane që ai u përpoq ta përdorte. Qoftë rastësi apo qëllim, ShBA-ja po ndihmon në varrosjen e fuqisë ruse në Lindjen e Mesme dhe Putini duket i pafuqishëm të reagojë.
Sidoqoftë, ai ka pak ndihmë praktike për të ofruar. Putini duhet ta dijë se statusi i tij si superfuqi është i rremë dhe do të zhdukej nëse ai do të guxonte të përdorte atë pak forcë ushtarake, të cilën Rusia mund të mbledhë, për të mbështetur Iranin. Rusia e Putinit mund të dërgojë disa informacione satelitore dhe mesazhe verbale urimi për ajatollahët, por përveç mburrjeve të pafundme për armët bërthamore, Putini duhet ta dijë se është perandor modern pa rroba.
Merreni shembullin e Sirisë, një shtet klient i Moskës që nga fundi i viteve ’50 të shekullit XX. Më pak se një dekadë më parë, forcat e Putinit ndihmuan me sukses Bashar al-Assadin të qëndronte në pushtet në luftën civile të vendit, duke e manovruar një Perëndim të pavendosur me një kombinim të përdorimit të pamëshirshëm të forcës së kufizuar ushtarake dhe veprimit të shpejtë diplomatik. Ishte kulmi i fuqisë globale ruse dhe e ndihmoi Putinin të besonte se Rusia ishte kthyer. Kur një delegacion britanik vizitoi Moskën pak para fillimit të luftës në Ukrainë, shefi i shtabit rus u tha se ai komandonte ushtrinë e dytë më të fuqishme në botë.
Nga zeniti në nadir. Deri në dhjetor 2024, ndërsa regjimi i Assadit po përmbysej, Putini qëndroi mënjanë. Rusisë i mungonte aftësia ushtarake, madje edhe për të mbrojtur një nga aleatët e saj kryesorë.
Tejkalimi i Putinit në luftën në Ukrainë ka zbrazur fuqinë ushtarake dhe ndikimin diplomatik global të Rusisë. Ndërsa ai ende mundet dhe do të kërcënojë Evropën Lindore, aftësia e tij për të dërguar forca jashtë vendit, në distanca të gjata, është pothuajse e shkatërruar, përveç me disa operacione gjysmë-mercenare në Afrikë.
Rusia ka humbur gjithashtu shumëçka nga ndikimi i saj në Armeni dhe në Azerbajxhan, në Kaukaz, zëvendësuar kështu nga ShBA-ja dhe Turqia. Sulmet e fundit iraniane ndaj Azerbajxhanit ka të ngjarë ta kenë ndërlikuar edhe më shumë llogaritë e Putinit në rajon. Kremlini nuk e mbështeti aleatin e tij armen gjatë konfliktit me Bakun dhe e ka paguar çmimin. Një mësim ky për Mbretërinë e Bashkuar, tani në mbështetje të aleatëve të saj në Gjirin Persik.
Dhe, në Azinë Qendrore, e qeverisur nga Moska brenda kujtesës së gjallë, Kina po e zëvendëson (në heshtje) Rusinë. Moska nuk mund të konkurrojë me pasurinë e Pekinit, veçanërisht pasi Putini nuk mund të përballet me Kinën ndërkohë që ka nevojë për të për të zëvendësuar tregjet e humbura perëndimore. Putini ka vënë bast në marrëdhëniet të cilat tani po dobësojnë, nuk po e forcojnë, fuqinë ruse.
Deri në fund të kësaj dekade, Putini rrezikon me një dështim strategjik në shumë fronte – në Ukrainë, në Azinë Qendrore dhe në Kaukaz, dhe më larg në Venezuelë, Siri dhe Iran. Ai pëlqente të mburrej se Rusia ishte një nga fuqitë vërtet “sovrane” në tokë. Në realitet, ajo po shndërrohet në një koloni të lëndëve të para për Kinën. Ajo është një kërcënim i zemëruar dhe atavik për Ukrainën dhe Evropën, dhe e parëndësishme diku tjetër.
Në fillim të këtij shekulli, Putini kishte plane të mëdha për të rindërtuar kombin e tij. Ai rishpiku një teori të luftës në të cilën të gjitha mjetet e shtetit, ushtarake dhe jo-ushtarake, do të integroheshin si kurrë më parë për t’u përballur me Perëndimin. Ishte një mënyrë strategjike krijuese për të maksimizuar fuqinë në tkurrje të Rusisë. Pati disa fitore të dukshme. Megjithatë, synimet e Putinit ishin të tilla që, sado me mjeshtëri të përziheshin taktikat, ato ambicie ishin tepër të mëdha për një vend me një ekonomi sa ajo e Spanjës. /Telegrafi/