Qeveria e Kosovës ka publikuar programin zyrtar të manifestimeve shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë, të cilat do të mbahen më 17 shkurt 2026.
Aktivitetet do të nisin në orët e hershme të mëngjesit me ngritjen solemne të Flamurit të Republikës së Kosovës, ndërsa gjatë ditës janë paraparë homazhe dhe nderime në disa nga vendet më të rëndësishme historike të vendit.
Sipas programit, do të bëhen homazhe te Monumenti i të Pagjeturve, pllakat përkujtimore të fëmijëve të vrarë, si dhe te varrezat e ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi. Po ashtu, homazhe do të mbahen edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite, është paraparë edhe seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nderime te Monumenti i Heroinave, si dhe parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Manifestimet do të përmbyllen në mbrëmje me pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri, si dhe me koncert solemn në Filarmoninë e Kosovës.
Qeveria ka ftuar qytetarët që ta shënojnë këtë ditë me dinjitet, në nderim të sakrificës për liri dhe pavarësi. /Telegrafi/