Shkolla e basketbollit PRESSING ka prezantuar zyrtarisht webfaqen e saj të re, duke shënuar një hap të rëndësishëm në modernizimin dhe zhvillimin e aktivitetit të saj.
Përmes një komunikate drejtuar sportdashësve dhe përkrahësve, drejtuesit e kësaj shkolle kanë bërë të ditur se pas një pune të gjatë dhe përkushtimi të vazhdueshëm, PRESSING bëhet shkolla e parë e basketbollit që ofron një platformë të tillë digjitale profesionale.
Sipas tyre, webfaqja synon të rrisë nivelin e prezantimit, organizimit dhe komunikimit me komunitetin, duke vendosur një standard të ri në këtë drejtim.
Në këtë platformë, vizitorët do të mund të gjejnë informata të detajuara rreth shkollës, trajnerëve, aktiviteteve, arritjeve si dhe mundësive për aplikim. Po ashtu, është paralajmëruar se përmbajtja do të përditësohet vazhdimisht me risi dhe funksione të reja.
Nga PRESSING kanë ftuar të gjithë sportdashësit që ta vizitojnë dhe ta shpërndajnë webfaqen, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së sportit dhe të rinjve, në veçanti basketbollit në qytetin e Pejës.
Në fund, ata kanë falënderuar të gjithë përkrahësit për mbështetjen dhe për pjesëmarrjen në rrugëtimin e tyre drejt zhvillimit të mëtejshëm. /Telegrafi/