Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, ka realizuar aktivitete të shtuara për siguri në trafik gjatë periudhës 6–12 shkurt 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 1778 gjoba ndaj kundërvajtësve të trafikut. Po ashtu, policia ka hetuar 16 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 15 aksidente me të lënduar.
Në kuadër të masave ndëshkuese, 72 ngasësve u është ndaluar drejtimi i mjeteve motorike për shkelje të rënda të rregullave të trafikut.
Policia njofton se kundërvajtësit që e pranojnë gjobën përmes shërbimit postar dhe e paguajnë brenda 15 ditësh nga data e pranimit, përfitojnë zbritje prej 50 për qind të shumës së gjobës. Afati për pagesë fillon nga dita e pranimit të njoftimit.
Në rast të paqartësive lidhur me afatin apo procedurën e pagesës, qytetarët mund të paraqiten në stacionin policor ose në njësitin kompetent që ka shqiptuar gjobën për verifikim dhe përditësim të të dhënave.
Po ashtu, çdo kundërvajtës ka të drejtë ligjore për të paraqitur ankesë kundër gjobës, duke argumentuar arsyet e kundërshtimit.
Për informata dhe udhëzime shtesë, qytetarët mund të drejtohen në Njësitin Rajonal të Komunikacionit Rrugor në Gjilan. /Telegrafi/