Policia izraelite sulmoi një grup gazetarësh jashtë Qytetit të Vjetër të Jerusalemit, përfshirë një producente të CNN e cila pësoi lëndim në kyçin e dorës.
Oficerët e policisë dëmtuan gjithashtu pajisjet fotografike dhe konfiskuan gjirimet.
Të martën, besimtarët myslimanë, të cilëve u është ndaluar të luten në xhaminë Al-Aksa për shkak të kufizimeve të kohës së luftës, u mblodhën jashtë mureve të Qytetit të Vjetër për të kryer namazin.
Por policia i pengoi ata të luteshin dhe i shtyu tutje.
Besimtarët u zhvendosën në një rrugë brenda lagjes aty pranë Wadi Al Joz.
Policia më pas i zhvendosi besimtarët edhe një herë në një vend pranë mureve të Qytetit të Vjetër, kur, pak çaste më vonë, oficerët hodhën granata tymuese drejt grupit.
Dy gazetarë u ndaluan në vendngjarje ndërsa oficerët i sulmuan ata dhe ua dëmtuan pajisjet. Disa gazetarë të tjerë në vendngjarje që po dokumentonin incidentin, u përpoqën të ndërhynin, por u shtynë.
Në një deklaratë, policia akuzoi gazetarët në vendngjarje se refuzuan të ndiqnin urdhrat, duke pretenduar se ishin “pjesë e trazirave”.
Deklarata e policisë vazhdoi duke pretenduar se “vetëm pasi u ndaluan nga policia, ata u identifikuan si gazetarë dhe më pas u liruan”.
Unioni i Gazetarëve në Izrael e hodhi poshtë deklaratën e policisë si “të pasaktë”.
Unioni i bëri thirrje komisionerit të policisë që të pezullojë menjëherë oficerët e përfshirë dhe të nisë një hetim të brendshëm.
Shoqata e Shtypit të Huaj (FPA) dënoi gjithashtu “sulmin e paprovokuar” ndaj gazetarëve. /Telegrafi/