Kombëtarja e Kosovës e di rëndësinë dhe të gjithë yjet po e presin me padurim përballjen ndaj Sllovakisë, kështu ka deklaruar Baton Zabërgja në një intervistë për Telegrafi, futbollisti që po shkëlqen te Metalist 1925.
Që kur ka nisur sezoni në futbollin ukrainas, Zabërgja e ka fituar vëmendjen e të gjithë falë paraqitjeve të shkëlqyera, ku në katër ndeshjet e fundit ka arritur të shënojë tre gola në proces.
24-vjeçari në një intervistë për Telegrafi thotë se faza përgatitore e ka ndihmuar të kalojë këtë periudhë pozitive.
“Normalisht që jam i kënaqur me formën momentale që po kaloj dhe shpresoj të vazhdoj çdo herë e me mirë”.
“Sekreti mund të them që jam ambientuar me ekipin dhe faza përgatitore që zhvilluam në Spanjë më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë”.
Për dallim nga forma e Zabergjës – Metalist po renditet në mesin e tabelës mirëpo për futbollistin objektivi është i qartë – ta fitojë Kupën e Ukrainës pasi kanë mbërritur në gjysmëfinale.
“Synimet e ekipit janë që të jemi sa më lartë në renditjen tabelore dhe Kupa sepse jemi në gjysmëfinale dhe kemi shanse reale për ta fituar këtë trofe”.
Ndërkohë, pas 20 ditëve do të zhvillohet play-offi i Kupës së Botës ndaj Sllovakisë, ku “Dardanët” janë dy ndeshje larg të arrijnë pjesëmarrjen në një kompeticion madhor për herë të parë në histori.
Zabërgja thotë se të gjithë po e presin me padurim përballjen ndaj sllovakëve, kurse shpreson që të shkruhet historia.
“E presim me padurim sepse e dimë rëndësinë dhe vlerën e kësaj ndeshje”.
“Shpresojmë shumë që do dalim fitimtar, angazhimi maksimal nuk diskutohet dhe me ndihmën e Zotit shpresojmë që të bëjmë histori”.
Ndërkohë, në fund i pyetur se e ka biseduar me lojtarët e tjerë të Kosovës para këtyre sfidave të marsit, ai nënvizoi se të gjithë e dinë rëndësinë që kanë.
“Po. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me shumicën e bashklojtarëve të kombëtares dhe e dimë që këto ndeshje janë jetike dhe historike per ne”, përfundoi Zabërgja për Telegrafi.
Përndryshe, përballja mes Sllovakisë dhe Kosovës do të zhvillohet më 26 mars, kurse në rast fitore – midis Prishtinës pesë ditë më vonë do ta presin gjysmëfinalistin tjetër, Turqi – Rumani./Telegrafi/