Seanca e Kuvendit e mbajtur në orët e mbrëmjes të së enjtes është shoqëruar me përplasje mes deputetëve të opozitës dhe kryesisht deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për mbajtjen e seancës gjatë natës.
Musliu e pyeti Kurtin se nga kush po frikësohet që po zhvillohet seanca në orët e vona, duke thënë se nuk ka ndonjë situatë të jashtëzakonshme që do ta arsyetonte këtë.
“Kisha pasë qejf një përgjigje prej Albin Kurtit: prej kujt po tuten që po mbajnë seancë natën. Kish me qenë me rëndësi, se po duket që po tuten fort sa i përket seancës. Edhe tash kur po flas, s’kam pranuar ftesë për pjesëmarrje në këtë seancë. Na ka ardhur një mesazh: ‘Hajdeni se kemi seancë në ora 20:00’”, tha Musliu.
Ajo më tej akuzoi kryeministrin se po tenton të instalojë një sistem totalitar, deklaratë që nxiti reagimin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila i tërhoqi vërejtjen se mund t’i ndërpritet fjala për shkak të gjuhës së përdorur.
Megjithatë, Musliu insistoi në qëndrimin e saj, duke kërkuar sqarim për vërejtjen.
“Tregom ku gabova, trego cila fjalë e imja ishte joparlamentare dhe unë kërkoj falje, të lutem”, tha ajo, duke vazhduar debatin në sallën e Kuvendit.