Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se aksioni i zhvilluar sot në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe njësitë përkatëse, ka përfunduar.
Ky aksion u zhvillua në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se tre të dyshuara me inicialet I.R.J., F.L. dhe A.I.K., të cilat ushtronin detyrë zyrtare në ARBK, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Të dyshuarat, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, me qëllim kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme për të favorizuar personin me inicialet I.B., duke i siguruar dobi pasurore në mënyrë të paligjshme,” bëri të ditur Prokuroria.
Sipas hetimeve paraprake, ndryshimi i pronësisë së aksioneve të kompanisë “N.K.W.P Sh.P.K” ka qenë në vlerë mbi 50,000 euro.
Të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt nga Prokuroria e Shtetit, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë. /Telegrafi/