Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), po vazhdon sot procesin e numërimit të pjesës së tjetër të votave të ardhura me postë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025.
Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga KQZ, deri tani janë numëruar 99 nga gjithsej 114 pako me vota nga diaspora, që përbëjnë rreth 86.84 për qind të totalit të votave me postë.
Rezultatet e deritanishme tregojnë një epërsi të thellë të Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka siguruar 72.97 për qind të votave, përkatësisht 21,103 vota.
Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 9.86 për qind ose 2,852 vota, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 9.33 për qind, që përkthehen në 2,699 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 3.82 për qind të votave, ndërsa partitë më të vogla, si Partia Liberale Egjiptiane dhe Nova Demokratska Stranka, kanë siguruar nën një për qind secila.
Nga KQZ është bërë e ditur se procesi i numërimit po zhvillohet në QNR sipas planifikimit.
Zyrtarët kanë theksuar se rezultatet përfundimtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave dhe trajtimit të ankesave eventuale. /Telegrafi/