Me detaje të tejdukshme dhe linja të theksuara, aktorja rikthen në qendër trendin më të diskutuar të momentit
Pavarësisht se për disa mund të duket i guximshëm, trendi i veshjeve me detaje të tejdukshme do të vazhdojë të dominojë tapetin e kuq. Sezon pas sezoni, premierë pas premiere, çdo paraqitje shoqërohet me elemente të tejdukshme që tërheqin vëmendjen dhe shtojnë dozën e elegancës dhe joshjes. As Nicole Kidman nuk i shpëtoi këtij trendi.
Aktorja australiane, fituese e çmimit “Oscar”, shkëlqeu në premierën e serialit “Margo’s Got Money Troubles” në Nju Jork, ku me një paraqitje të guximshme, por shumë elegante, tërhoqi gjithë vëmendjen. Nicole Kidman (58) di gjithmonë si të duket mbresëlënëse, por këtë herë ajo shkëlqeu në mënyrë të veçantë.
Fustani i zi, me panele të tejdukshme që krijonin një efekt të matur “naked”, i zbukuruar me detaje argjendi në formë luspa peshku në pjesën e përparme, me zinxhir dhe rrip, vjen nga shtëpia prestigjioze parisiane Schiaparelli. Ky model është parë edhe në javët e fundit të modës, ku u prezantuan koleksionet për vjeshtën 2026, transmeton Telegrafi.
Kreacioni me mëngë të gjata theksoi në mënyrë të përkryer linjat e trupit dhe siluetën elegante të aktores. Pamja u plotësua me sandale nga Gianvito Rossi, flokë të mbledhura në një topuz të lirshëm me balluke dhe me një përzgjedhje të kujdesshme të bizhuterive.
Një paraqitje e guximshme, elegante dhe e rafinuar, siç jemi mësuar ta shohim Nicole Kidman, me një ndryshim të vogël: këtë herë, rolin kryesor në këtë histori mode e kishte fustani.
/Telegrafi/