Mesfushori kroat dhe ylli i Milanit, Luka Modric, ka dhënë një intervistë të gjerë për gazetën italiane Corriere della Sera, ku ka folur për jetën e tij, rritjen personale dhe profesionale, si dhe për përvojat e vështira që e kanë formësuar si futbollist dhe si njeri.
Në mesin e temave të trajtuara, Modric u ndal edhe te përballjet mes Kroacisë dhe Serbisë, si dhe te periudha e tij në Bosnje dhe Hercegovinë, ku në vitin 2003 ishte i huazuar te Zrinjski, në moshën vetëm 17-vjeçare.
Duke folur për ndeshjet kundër Serbisë, Modric theksoi se ato nuk mund të krahasohen me përballje të zakonshme ndërkombëtare.
“Luajta kundër tyre dy herë, në vitin 2013, në kualifikueset e Kupës së Botës. Në Zagreb fituam 2:0, ndërsa në Beograd barazuam 1:1. Në të dyja rastet atmosfera ishte jashtëzakonisht e vështirë. Ato nuk ishin ndeshje normale. Lufta ende ndihej dhe ende ndihet. Mendoj se gjithmonë do të jetë kështu”, u shpreh Modric.
Ai foli me sinqeritet edhe për përvojën e tij të parë si futbollist senior, gjatë huazimit te Zrinjski Mostar, një periudhë që e përshkruan si jashtëzakonisht të vështirë, por vendimtare për karrierën e tij.
“Ishte eksperienca ime e parë si senior, i huazuar nga Dinamo. Ishte shumë e vështirë. Kishte boshnjakë, kroatë dhe serbë, tri fe: myslimanë, katolikë dhe ortodoksë. Kur shkoje të luaje në Sarajevë, ishte si ferri. Gjyqtarët nuk të mbronin dhe presioni ishte i jashtëzakonshëm. Isha vetëm 17 vjeç, por kjo më ndihmoi shumë”, kujtoi Modric.
Ai shtoi se ajo periudhë e bëri më të fortë dhe më të përgatitur për sfidat e ardhshme.
“Nëse mund të luaje në Bosnje menjëherë pas luftës, atëherë mund të luaje kudo”, përfundoi legjenda kroate. /Telegrafi/