Mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, tha se nuk ka asnjë fakt ku thuhet se klienti i tij dinte për krimet në Jablanicë.
Por, Mishetiq thotë se ndërkohë që Ramush Haradinaj ishte komandant i Zonës në atë pjesë ku pretendohet se kanë ndodhur këto krime, s’ka ndonjë akuzë për anëtarësimin e tij në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale (NPK) të pretenduar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nuk ka asnjë fakt dhe asnjë pretendim ku thuhet se Thaçi dinte për krimet në Jabllanicë ndërkohë që Haradinaj ishte pjesë e Zonës ku pretendohet se kanë ndodhur këto krime por ndërkohë nuk kemi asnjë akuzë për anëtarësim të tij në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale”, tha Mishetiq.
Përveç kësaj, Mishetiq tha Prokuroria nuk ka provuar asnjë prej elementeve të përgjegjësisë komanduese që mund ta bënte Thaçin përgjegjës.
“ZPS-ja nuk ka provuar asnjë prej elementeve të përgjegjësisë komanduese që do ta bënte Thaçin përgjegjës”, deklaroi avokati.
Përveç kësaj, Mishetiq tha se nuk ka prova që Selimi i ka raportuar Thaçit si ministër i Rendit Publik dhe as që Selimi ka qenë vartës i Thaçit gjatë kësaj kohe.
Ndryshe, pas këtyre parashtrimeve, me deklaratën pasuese përmbyllëse po vazhdon avokatja Nina Tavakoli.
Avokati Mishetiq: ZPS-ja s’ka arritur të provojë se Thaçi kishte njohuri që ndonjë anëtar i Qeverisë së Përkohshme të ketë kryer krime
(Përditësuar, ora 13:17)- Avokati Luka Mishetiq ka deklaruar se Prokuroria nuk ka arritur të provojë se i mbrojturi i tij, Hashim Thaçi ka pasur dijeni që ndonjëri prej anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme të ketë kryer krime.
Sipas Mishetiq, ZPS-ja pretendon se Thaçi e ka shfrytëzuar fuqinë si kryeministër për të emëruar bashkë të akuzuarit dhe anëtarët e tjerë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK) në pozicionet e nivelit të lartë në Qeverinë e Përkohshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nuk ka prova përtej dyshimit të arsyeshëm që Thaçi të ketë caktuar bashkë të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë. Prokuroria nuk ka arritur që të provojë se Thaçi të ketë ditur që ndonjë anëtar i Qeverisë së Përkohshme të ketë kryer krime”, tha ai.
Sipas Mishetiq, Prokuroria ka thënë që KFOR-i nuk ka marrë njoftime nga udhëheqësit e UÇK-së për të hetuar krimet e bëra nga anëtarët e UÇK-së pavarësisht se e ka pasur mundësinë për ta bërë një gjë të tillë. /BetimipërDrejtësi/