Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë ka kryer ekzaminime mjekësore të detajuara për mbi 1 700 foshnja të sapolindura, menjëherë pas lindjes, duke përfshirë kontrolle të specializuara dhe ekografi të kokës, abdomenit dhe rrahjeve të zemrës.
Në Repartin e Neonatologjisë, sipas spitalit, mjekët përveç kontrolleve rutinë, monitorojnë në mënyrë të hollësishme çdo foshnjë përmes ekografisë.
Dr. Agim Sherifi, shef i repartit, kryen ekzaminime me sondën e ekos, duke siguruar që çdo foshnjë të vlerësohet në aspektin e zhvillimit të kokës, organeve vitale dhe funksionit të zemrës.
Ky proces, siç bëjnë të ditur nga spitali, synon të garantojë një fillim të shëndetshëm të jetës për çdo fëmijë dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore në ditët e para pas lindjes. /Telegrafi/