Për Jürgen Habermasin, i cili vdiq në mars, thelbi i demokracisë ishte debati i menduar mirë dhe i ndërsjellë.
Nga: Adam Kirsch / The Atlantic
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Amerikanët kanë një histori të gjatë të marrjes turr drejt një lufte mbi pretekste të rreme. “Shtypi i verdhë” inkurajoi ethet e luftës në vitin 1898, duke fajësuar spanjollët për fundosjen e anijes USS Maine – edhe pse eksperti i vetë Marinës tha se ajo [fundosja] u shkaktua nga një shpërthim aksidental. Administrata e George W. Bushit e justifikoi pushtimin e Irakut duke pretenduar se Saddam Husseini kishte lidhje me sulmet e 11 Shtatorit [2001] dhe po ndërtonte armë të shkatërrimit në masë – asnjëra prej të cilave nuk doli e vërtetë.
Por, me luftën kundër Iranit, si edhe në shumë mënyra të tjera, Donald Trumpi ka hapur një terren të ri. Ai është presidenti i parë që nisi një luftë pa u munduar as të gënjente publikun, sepse thjesht nuk i interesonte se çfarë mendonte publiku. Populli amerikan nuk u konsultua për sulmin ndaj Iranit – as formalisht, përmes përfaqësuesve të tij të zgjedhur në Kongres, as në mënyrë joformale duke u dhënë mundësi opinionistëve, aktivistëve dhe grupeve të shoqërisë civile të shprehnin qëndrimet e veta. Siç i tha Trumpi The New York Times-it në janar, pushteti i tij si komandant i përgjithshëm nuk kufizohej nga asgjë tjetër përveç “moralit tim. Mendjes sime. Është e vetmja gjë që mund të më ndalojë.”
Filozofi gjerman Jürgen Habermas, një komentues shumë i frytshëm i ngjarjeve botërore, nuk jetoi për ta komentuar luftën kundër Iranit. Ai vdiq më 14 mars, në moshën 96-vjeçare, dy javë pasi filluan sulmet ajrore amerikane dhe izraelite. Por, kjo vërtetoi frikën e tij më të keqe për fatin e demokracisë liberale, për të cilën ai kaloi një jetë të gjatë duke e analizuar dhe mbrojtur. Për Habermasin, thelbi i demokracisë ishte diskursi, argumentimi i ndërsjellë mbi idetë dhe vlerat. Në veprat e tij themelore të teorisë politike dhe shoqërore, ai shkroi për “sferën publike,” ku qytetarët bashkohen për të formuar gjykime, si dhe për “veprimin komunikues” i cili e shndërron gjuhën në një forcë bashkëpunimi. “I gjithë pushteti politik buron nga fuqia komunikuese e qytetarëve,” shkroi ai, dhe në një demokraci ideale “të gjitha pyetjet, çështjet dhe kontributet përkatëse shtrohen dhe trajtohen nëpërmjet diskurseve dhe negociatave.”
Nuk mund të quhet tragjedi fundi i një jete të gjatë dhe të frytshme sa ajo e Jürgen Habermasit. Por, kishte një ndjesi të veçantë trishtimi në homazhet e botuara anembanë botës – pas vdekjes së tij – të cilat dukeshin sikur simbolizonin vetë gjendjen tragjike të demokracisë. Në një nga paraqitjet e tij të fundit publike, në Munih, në nëntor, ai mbajti një fjalim duke vajtuar “çmontimin tashmë pothuajse të pakthyeshëm të regjimit më të vjetër liberal-demokratik,” të Shteteve të Bashkuara, falë “zgjerimit arbitrar-autokratik” të pushtetit ekzekutiv nga Trumpi.
Kthesa autokratike e Amerikës errësoi fundin e asaj që Jürgen Habermasi e përshkroi në fjalimin e tij si “jetë mjaft të favorshme në aspektin politik.” Ndoshta ishte e tillë në kuptimin që filloi nga një pikë aq e ulët, sa nuk kishte ku të shkonte tjetër përveçse lart. Habermasi lindi në Gjermani në vitin 1929 dhe u rrit nën nazizëm; ai ishte anëtar i Rinisë Hitleriane dhe babai i tij shërbeu si oficer në Vermahtit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai jetoi mjaftueshëm gjatë për të parë demokracinë duke zënë rrënjë në Gjermaninë Perëndimore dhe më pas për ta parë Gjermaninë e ribashkuar duke u bërë mburoja e Evropës së lirë.
Ky përfundim i lumtur nuk ishte aspak i garantuar, dhe puna e Jürgen Habermasit si teoricien dhe polemizues dha kontribut të rëndësishëm në të. Ai e nisi karrierën e tij në Gjermaninë Perëndimore në vitet ’50 të shekullit XX, kur ish-nazistët ende dominonin në sistemin akademik. Duke iu kundërvënë ndikimit të Martin Heideggerit, atëherë idhull i filozofisë gjermane – pavarësisht bashkëpunimit të tij me regjimin nazist – Habermasi i ri e gjeti mentorin te Theodor Adorno, te kritiku radikal shoqëror i cili periudhën naziste e kaloi në mërgim. Adorno ishte një nga themeluesit e Shkollës së Frankfurtit të teorisë kritike dhe Habermasi mori mantelin e tij si udhëheqës i brezit të dytë të kësaj shkolle, duke e kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Universitetin e Frankfurtit.
Por, përderisa Adorno, në thelb, e humbi shpresën për qytetërimin modern pas Holokaustit, Habermasi ia kushtoi karrierën e tij gjetjes së burimeve të lirisë brenda traditës intelektuale perëndimore. Ky kërkim nisi me librin e tij të parë, Transformimi strukturor i sferës publike [The Structural Transformation of the Public Sphere], botuar në vitin 1962. Ai mbetet ende vepra e tij më e njohur, kryesisht sepse është më konkrete dhe më historike sesa shkrimet e tij të mëvonshme, teorikisht më të dendura. Habermasi e gjurmoi lindjen e konceptit modern të “opinionit publik” te kafenetë, sallonet dhe gazetat e Evropës së shekullit XVIII, të cilat u dhanë njerëzve të zakonshëm mundësinë të debatonin mbi ngjarjet aktuale dhe të gjykonin vendimet e monarkëve.
Ky mjedis, që hodhi bazat për Revolucionin Francez, shërbeu si frymëzim politik për Habermasin. Sfera publike, shkroi ai, nënkuptonte “shpërbërjen e dominimit,” në mënyrë që idetë dhe politikat “të mbizotëronin mbi asnjë bazë tjetër përveç fuqisë bindëse të opinionit publik.” Por, Habermasi e kuptonte se ky ideal liberal-demokratik nuk u realizua kurrë plotësisht – as në shekullin XVIII, kur sfera publike ishte e hapur vetëm për burrat e pasur, dhe as në shekullin XX kur opinioni publik ishte bërë pasiv dhe inert, një objekt për t’u manipuluar nga propaganda. “Bota e formësuar nga mediat masive,” ankohej ai, “vetëm në dukje është sferë publike.”
Habermasi nuk ishte i vetmi që bëri vëzhgime të tilla. Por, teksa mendimtarët e majtë – duke filluar me Karl Marxin – e shihnin idealin liberal si plotësisht të diskredituar, thjesht një kamuflim për pushtetin kapitalist, Habermasi vazhdoi të besonte në potencialin utopik të liberalizmit. Mund të ishte e vërtetë që një demokraci e mirëfilltë deliberative nuk kishte ekzistuar kurrë, por ai këmbëngulte se çdo shoqëri e mirë duhej të bazohej mbi parimet e saj. “Legjitimiteti i ligjit,” shkroi ai në librin e tij të vitit 1992, Midis fakteve dhe normave [Between Facts and Norms], “varet, në fund të fundit, nga një rend komunikues”: qytetarët duhet të jenë “pjesëmarrës të diskurseve racionale,” të aftë të shprehin lirshëm mendimet e veta dhe të gjejnë zgjidhje reciprokisht të pranueshme për probleme të vështira.
Studimi i dinamikës së diskursit e çoi Jürgen Habermasin përtej fushës së filozofisë politike. Veprimtaria e tij akademike mbështetet në sociologji, gjuhësi, psikologji dhe studime kulturore, duke u angazhuar me një gamë të gjerë mendimtarësh, të së kaluarës dhe ata bashkëkohorë. Në të vërtetë, Habermasi ndonjëherë ta jep përshtypjen se ka lexuar gjithçka për çdo gjë. Edhe proza e tij është po aq sfiduese – e dendur dhe abstrakte, në traditën e gjatë të filozofisë gjermane. Megjithatë, vepra e tij mund të shihet edhe si një shembull në veprim i asaj që ai e quante “etika e diskursit” – një angazhim i sinqertë dhe i ndërsjellë me mendjen e të tjerëve.
Në fund të fundit, besonte Habermasi, vetë gjuha i angazhon qeniet njerëzore ndaj argumentimit demokratik. Në Teorinë e veprimit komunikues [The Theory of Communicative Action], veprën e tij madhore të vitit 1981, ai hodhi poshtë prirjen shkencore për ta menduar gjuhën në termat e pohimeve – deklarata mbi botën të cilat mund të jenë ose të vërteta ose të rreme. Gjëja më e rëndësishme, këmbëngulte Habermasi, nuk është se për çfarë na flet një deklaratë, por kujt i drejtohet ajo. Sa herë që themi diçka, ia themi një qenieje tjetër njerëzore, në një përpjekje të nënkuptuar për të fituar miratimin e tij. Lloje të ndryshme deklaratash kërkojnë lloje të ndryshme pranimi: pretendimi faktik, si “Toka është planeti i tretë [sipas largësisë] nga Dielli,” kërkon të pranohet si i vërtetë, ndërsa pretendimi moral si “Vrasja është e keqe” kërkon të pranohet si i drejtë.
Por, në çdo rast, ka shkruar Jürgen Habermas, “akti i të folurit i një personi ka sukses vetëm nëse tjetri e pranon ofertën që përmbahet në të.” Dhe, vendimi për ta pranuar ose refuzuar një akt të të folurit është gjithmonë “i bazuar në themele ose arsye të mundshme.” Sa herë që themi diçka, e bëjmë një premtim të heshtur se kemi arsye të mira për ta thënë dhe se mund t’i paraqesim ato po të na kërkohej ta bënim këtë. Habermasi arriti në përfundimin se bindja nuk është thjesht një mënyrë e përdorimi të gjuhës – ndër shumë të tjera; është themeli i çdo përdorimi të gjuhës. “Qëllimi i qenësishëm i të folurit të njeriut,” qëllimi për të cilin ai ekziston, është “arritja e mirëkuptimit” mes qenieve njerëzore.
Natyrisht, në jetën reale ne nuk e përdorim gjuhën vetëm për bindje racionale. E përdorim gjithashtu për të dhënë urdhra dhe për të bërë kërcënime, duke kërkuar bindje në vend të pajtimit. Por, kur pajtohemi me dikë për shkak të “humbjeve” ose “shpërblimeve” të mundshme, argumentonte Habermasi, ne në të vërtetë nuk po pajtohemi, por thjesht po dorëzohemi. Sipas të njëjtit parim, diskursi publik është autentik vetëm kur asnjë pjesëmarrës nuk përjashtohet, asnjë mendim nuk ndalohet dhe askush nuk i nënshtrohet detyrimit. Këto kushte rrallë gjenden në politikën reale, por ne gjithmonë mund t’i afrohemi më shumë idealit ose të largohemi prej tij.
Kur Habermasi shkroi Transformimin strukturor të sferës publike, në mesin e shekullit XX, ai besonte se pengesat kryesore për diskursin publik ishin teknologjike. Radioja, televizioni dhe gazetat me tirazh të madh bënë të mundur arritjen e audiencave që një opinionist kafeneje nuk do të mund t’i paramendonte kurrë. Por, ky komunikim është njëdrejtimësh: mediat masive i flasin publikut, por “ia privojnë atij mundësinë për të thënë diçka dhe për të kundërshtuar.” Dhe, meqë agjenda mediatike përcaktohet nga të pasurit dhe të fuqishmit, është pothuajse e pamundur që zërat kundërshtues të dëgjohen.
Në fund të jetës së Habermasit, për ironi, përparimi i teknologjisë krijoi pikërisht problemin e kundërt. Falë internetit dhe rrjeteve sociale, barriera për të hyrë në tregun e ideve nuk ka qenë kurrë më e ulët. Një transmetues i vetëm në internet mund të bëhet autoritet për miliona njerëz, ndërkohë që rrjetet dikur të fuqishme televizive dhe gazetat po luftojnë për të mbijetuar. Ky do të duhej të ishte bekim për komunikimin dhe, në ditët e hershme të internetit, shumë idealistë mendonin se kështu do të ndodhte. Atëherë, pse kjo mbingarkesë diskursi doli të ishte më e dëmshme për demokracinë sesa kishte qenë dikur mungesa e tij?
Në një nga librat e tij të fundit – Transformimin i ri strukturor i sferës publike dhe diskutimit politik [A New Structural Transformation of the Public Sphere and Deliberative Politics], botuar në vitin 2023 – Habermasi e shqyrtoi shkurtimisht këtë zhvillim. “Ashtu siç shtypi e bëri secilin një lexues të mundshëm, sot digjitalizimi po e kthen secilin në një autor të mundshëm,” vërejti ai. Problemi është se, kur bëhet fjalë për diskursin, sasia është shpesh armike e cilësisë. Debati racional publik mund të zhvillohet vetëm nëse pjesëmarrësit pranojnë disa kushte – mbi të gjitha, detyrimin për të qenë të sinqertë dhe për të dëgjuar këndvështrimet e tjera.
Interneti, thënë më butë, nuk njihet për nxitjen e këtyre cilësive. Problemi nuk është vetëm se njerëzit gënjejnë qëllimisht, duke përhapur keqinformim për përfitime personale ose politike. Problemi është se sfera publike është copëzuar në publikë konkurruese, secila në gjendje t’i shpërfillë të tjerat. Nëse je mohues i vaksinave, rrjedha [feed] jote në rrjetet sociale është e mbushur me mohues të tjerë të vaksinave, kështu që bindjet e tua gjithmonë përforcohen dhe kurrë nuk sfidohen. Kjo e bën të pamundur diskutimin demokratik. “Në fund të fundit, qëllimi i diskutimit politik është që të na mundësojë t’i përmirësojmë bindjet tona në mosmarrëveshjet politike dhe t’u afrohemi zgjidhjeve të sakta të problemeve,” shkroi Jürgen Habermasi, dhe kjo nuk mund të ndodhë nëse nuk sfidohemi kurrë nga kundërargumentet ose nuk vazhdojmë të jemi të ndershëm përmes kërkesës për shpjegime. (Ose, siç e formuloi ai në gjuhën teknike të teorisë së tij të komunikimit, “përmbajtjet komunikuese nuk mund të shkëmbeheshin më në monedhën e pretendimeve të vlefshmërisë së kritikueshme.”)
Habermasi ishte në të 90-at kur shkroi për rrjetet sociale dhe, në mos asgjë tjetër, ai e nënvlerësoi sfidën që ato paraqesin – jo vetëm për demokracinë liberale, por edhe për vetë mendimin dhe botëkuptimin e tij. Efekti më ogurzi i internetit mbi politikën e sotme nuk është vetëm se nxit ndasitë. Është se lehtësia pa peshë e ekzistencës onlajn ushqen një lloj nihilizmi gazmor. Në vend të diskursit, rrjetet sociale nxisin fyerjen dhe provokimin [trolling] – parimin sipas të cilit nuk ka rëndësi çfarë thua, për sa kohë njerëzit ta japin vëmendjen.
Habermasi kishte të drejtë kur e quante Donald Trumpin autokratik, por ajo që e bën atë të jetë figurë autoritare për epokën e rrjeteve sociale është kotësia e tij që të çmend – mënyra se si duket sikur nuk e di ose nuk i intereson çfarë po bën apo çfarë do të bëjë më pas. Pikërisht sepse asgjë nuk merr me seriozitet, ai e bën pothuajse të pamundur që të merret seriozisht, edhe kur u shkakton dëme krejtësisht serioze njerëzve dhe institucioneve. Kjo cilësi e bën Trumpin enigmë për teoricienët politikë, por yll të rrjeteve sociale – një medium ku, për të huazuar një frazë të famshme nga Karl Marxi, “gjithçka që është e ngurtë shkrihet në ajër.” Kur mizoria dhe pakujdesia mund të përbëjnë një kombinim kaq efektiv politik, bëhet e qartë se epoka e diskursit racional – epoka e Jürgen Habermasit – përnjëmend ka marrë fund. /Telegrafi/
– Lexo po ashtu nga Adam Kirsch: Tridhjetë vjet pas trilogjisë “Tri ngjyrat”: Liria e paduruar!