Dëshira e Barcelonës për ta mbajtur Marcus Rashfordin edhe pas përfundimit të sezonit është gjithnjë e më e qartë, por një transferim i përhershëm nuk do të vijë me zbritje.
Manchester United ka vendosur të mos negociojë poshtë çmimit të rënë dakord.
Sipas “SPORT”, klubi anglez nuk ka ndërmend të ulë opsionin e blerjes prej 30 milionë eurosh, i përfshirë në marrëveshjen e huazimit.
Barcelona shpresonte të përfitonte nga situata financiare për të negociuar një tarifë më të ulët, por drejtuesit në “Old Trafford” janë të vendosur ta mbajnë çmimin aktual, duke e konsideruar atë të drejtë për profilin e lojtarit.
Rashford ka bindur nën drejtimin e Hansi Flick, duke u bërë një pjesë e rëndësishme e rotacionit ofensiv. Ajo që nisi si një zgjidhje afatshkurtër, tashmë po shihet si një investim afatgjatë nga katalanasit. Deri tani këtë sezon, sulmuesi ka regjistruar 34 paraqitje në të gjitha garat, me 10 gola dhe 10 asistime – statistika që vetëm sa e forcojnë idenë e një marrëveshjeje të përhershme.
Megjithatë, për ta mbajtur në “Camp Nou”, Barcelona do të duhet të paguajë plot 30 milionë euro. United nuk është gati të bëjë kompromis. /Telegrafi/