Pas një starti të vështirë me humbje ndaj Gjilanit, skuadra e Malishevës ka regjistruar 9 ndeshje radhazi pa humbje, duke treguar një rikthim të jashtëzakonshëm nën drejtimin e trajnerit Elon Berisha.
Pas largimit nga Prishtina e Re, ku kishte konfirmuar aftësitë e tij duke ngjitur ekipin në Superligën e Kosovës, Berisha pushoi disa xhiro dhe më pas mori drejtimin e Malishevës pas largimit të Qatio Osmanit.
Në ndeshjen e fundit, Malisheva triumfoi 2-1 ndaj Ballkanit si mysafir, përkundër që ishin në disavantazh gjatë pjesës së parë.
Me 7 fitore dhe 2 barazime, skuadra ka arritur 33 pikë, vetëm 3 pikë larg liderëve Ballkani dhe Prishtina (36 pikë secila) dhe 2 pikë larg Dritës (35 pikë), duke e bërë ekipin një rival serioz për vendet e para.
Në Kupën e Kosovës, Malisheva ka regjistruar dy fitore dhe aktualisht është në çerekfinale, duke luftuar në dy fronte këtë sezon.
Pa zhurmë, vetëm punë dhe rezultate – trajneri 31-vjeçar Elon Berisha po tregon se ka një të ardhme të ndritur dhe po e konfirmon këtë me paraqitjet e Malishevës. /Telegrafi/