Liverpooli po përgatit një investim të madh gjatë verës me synimin për t’u rikthyer në garë për titullin në Ligën Premier dhe një nga objektivat kryesorë është Alessandro Bastoni, shtylla e mbrojtjes së Interit.
Pas një sezoni me paqëndrueshmëri në repartin defensiv, trajneri Arne Slot dhe drejtuesit e klubit e shohin të domosdoshme përforcimin e menjëhershëm të prapavijës.
Në këtë garë, klubi anglez synon ta rrëmbejë lojtarin që po synon Barcelona, duke përfituar nga çdo pasiguri financiare apo strategjike e katalanasve.
Mbrojtësi italian, 26 vjeç, konsiderohet si pasardhësi ideal i Virgil van Dijk në qendër të mbrojtjes së “Reds”, falë aftësisë për të ndërtuar lojën nga prapa dhe sigurisë taktike.
Kontrata e tij me Interin është e vlefshme deri në verën e vitit 2028, çka i jep klubit italian avantazh në negociata, por drejtuesit në “Anfield” besojnë se një ofertë e lartë financiare mund të bindë zikaltërit për ta lënë të lirë.
Vlera e Bastonit në treg llogaritet rreth 80 milionë euro dhe Liverpooli është i gatshëm të bëjë këtë sakrificë ekonomike për të garantuar stabilitet afatgjatë në mbrojtje.
Ndërkohë, Barcelona po e ndjek situatën me kujdes, por anglezët synojnë të veprojnë shpejt për të shmangur rritjen e çmimit nga konkurrenca e klubeve të tjera evropiane.
Performancat e Bastonit në Serie A dhe në arenën ndërkombëtare kanë dëshmuar se ai ka cilësitë për të udhëhequr një ekip të madh.
Transferimi i tij në “Anfield” do të përbënte një përforcim të rëndësishëm për një skuadër që synon të rikthehet në majat e futbollit anglez dhe evropian.
Për Liverpoolin, afrimi i tij do të shërbente edhe si një tranzicion i qetë në epokën pas Van Dijk, duke siguruar vazhdimësi në një nga repartet më të rëndësishme të skuadrës. /Telegrafi/