Atletico Madrid pritet të ndahet këtë verë nga një tjetër figurë historike.
Mbrojtësi uruguaian Jose Maria Gimenez, i cili iu bashkua klubit në vitin 2013 nga Danubio për më pak se 1 milion euro, ka qenë pjesë kyçe e skuadrës për më shumë se një dekadë.
Ai kontriboi menjëherë në sezonin e artë që kulmoi me titullin në La Liga dhe finalen e Ligës së Kampionëve, duke konkurruar për një vend titullari me Mirandën.
Sipas raportimeve nga RadioMarca, 31-vjeçari do të largohet në fund të sezonit, pavarësisht se ka kontratë deri në vitin 2028.
Klubi madrilen thuhet se i ka premtuar lojtarit se do ta lejojë të largohet si lojtar i lirë, nëse ai zgjedh një destinacion të caktuar.
Vendimi lidhet me moshën, performancat e fundit dhe pagën e lartë të mbrojtësit, që varion nga 6 deri në 7 milionë euro neto në sezon, ndërkohë që dëmtimet e shpeshta kanë ndikuar në vazhdimësinë e tij.
Interesimi për Gimenez nuk mungon, në Argjentinë, Boca Juniors po monitoron situatën, me presidentin Juan Roman Riquelme që thuhet se ka zhvilluar bisedime me lojtarin për një transferim të mundshëm në Buenos Aires pas Kupës së Botës.
Një rikthim në Amerikën Latine do të ishte një hap i rëndësishëm në fazën përmbyllëse të karrierës së tij.
Nga ana tjetër, interes ka edhe nga Italia, Milani raportohet se më herët ishte i gatshëm të ofronte deri në 30 milionë euro për shërbimet e tij, por mundësia për ta marrë me parametër zero e bën operacionin edhe më të favorshëm.
Skuadra të tjera të Serie A po ashtu po ndjekin zhvillimet, ndërsa e ardhmja e Gimenez pritet të sqarohet në muajt në vijim. /Telegrafi/