Ylli brazilian, Neymar, mund të rikthehet shumë shpejt në ekipin përfaqësues të Brazilit, për herë të parë që nga tetori i vitit 2023.
Sipas raportimeve të Globo Esporte, sulmuesi 34-vjeçar është përfshirë në listën e zgjeruar të seleksionuesit Carlo Ancelotti për dy ndeshjet miqësore që Brazili do të zhvillojë këtë muaj.
“Seleçao” pritet të përballet me Francën më 26 mars dhe me Kroacinë më 1 prill, ndërsa lista përfundimtare e lojtarëve ende nuk është bërë publike.
Megjithatë, Neymari konsiderohet një nga kandidatët kryesorë për t’u përfshirë në skuadrën përfundimtare.
Forma e tij e fundit me Santos ka rritur optimizmin për rikthimin në kombëtare.
Sulmuesi brazilian shkëlqeu në ndeshjen e fundit duke realizuar dy gola dhe duke treguar se është rikthyer në formë të mirë fizike.
Më herët, Ancelotti kishte theksuar se dera e kombëtares mbetet e hapur për Neymarin, por vetëm nëse ai arrin nivelin e duhur fizik.
Madje, trajneri italian pritet të jetë i pranishëm në stadium për të ndjekur nga afër ndeshjen mes Mirassol dhe Santosit, për të vlerësuar performancën e yllit brazilian.
Nëse përfshihet në listën përfundimtare, rikthimi i Neymarit do të ishte një moment i rëndësishëm për Brazilin, që synon të rikthejë përvojën dhe kreativitetin e një prej lojtarëve më vendimtarë të dekadës së fundit. /Telegrafi/