Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi dje vendosjen e një tarife prej 10 për qind mbi importet nga të gjitha vendet, e cila do të hyjë në fuqi “pothuajse menjëherë”.
Njoftimi u bë përmes rrjetit Truth Social, ku Trump e quajti këtë “një nder të madh”.
Shtëpia e Bardhë sqaroi se tarifat e reja, që fillojnë nga 24 shkurt, zëvendësojnë pjesërisht tarifat 10–50 për qind të vendosura më parë, të cilat Gjykata e Lartë i shpalli të paligjshme.
Përjashtime mbeten për automobilat, disa kamionë të lehtë, produkte ajrore, farmaceutike, minerale kritike dhe produkte bujqësore nga Meksika dhe Kanada.
Sekretari amerikan i Financave, Scott Bessent, tha se të ardhurat nga tarifat do të mbeten praktikisht të njëjta gjatë vitit 2026.
Trump paralajmëroi gjithashtu hetime të reja për praktika tregtare jo të ndershme kundër Kinës, Brazilit, dhe mundësisht edhe ndaj Vietnamit dhe Kanadasë.
Lideri amerikan deklaroi se SHBA-ja po përdor këtë masë për të adresuar “një deficit të madh dhe serioz të bilancit të pagesave” dhe se alternativa të tjera do të ndihmojnë në rritjen e të ardhurave dhe forcimin e ekonomisë amerikane. /Telegrafi/