Komuna e Mitrovicës, përmes Drejtorisë së Inspekcionit, ka ndërmarrë veprime konkrete për mbrojtjen e mjedisit, të konsumatorëve dhe për lirimin e hapësirave publike për qytetarët.
Sipas njoftimit zyrtar, sektori i Ndërtimit ka vepruar pas ankesave të qytetarëve ndaj ndërtuesve që, me aktivitetet e tyre, kanë ndotur hapësirat publike dhe kanë vështirësuar jetesën e banorëve përreth. Ndërtuesit janë obliguar që brenda 72 orësh të sanojnë gjendjen, përndryshe do të merren masa ligjore sipas ligjit në fuqi.
Sektori i Transportit Rrugor dhe Telekomunikacionit ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj operatorëve të linjave të kombibusëve, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me çmimet e pasagjerëve pas lëvizjeve të çmimeve të karburanteve në treg. Drejtoria e Inspekcionit ka vepruar për të parandaluar çdo manipulim apo abuzim në kurriz të qytetarëve.
Ndërsa sektori i Shërbimeve Publike ka vazhduar aktivitetet për lirimin e hapësirave publike, duke larguar pllakatet dhe panot reklamuese të vendosura pa leje, duke filluar nga Ura e Gjakut dhe hyrjet dhe daljet e Tunelit, me plan për të vazhduar në të gjitha hapësirat e qytetit.
Drejtori i Inspekcionit, z. Mujë Igrishta, ka bërë thirrje tek qytetarët që të bashkëpunojnë me Drejtorinë për çdo hapësirë të uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme, në mënyrë që të ndërmerren veprimet e duhura ligjore për lirimin e këtyre hapësirave. /Telegrafi/