Barcelona pritet të paraqesë një ankesë zyrtare në Komitetin Teknik të Gjyqtarëve (CTA), pas një pritjeje tetëminutëshe për një vendim të VAR-it, që përfundoi me anulimin e një goli për pozicion jashtë loje të Pau Cubars.
Incidenti ndodhi në fillim të pjesës së dytë, në momentin kur Barcelona po përpiqej të ngushtonte diferencën pas disavantazhit 4-0.
Sipas Mundo Deportivo, në një deklaratë të publikuar nga CTA thuhet se vonesa në marrjen e vendimit erdhi si pasojë e mosfunksionimit të teknologjisë gjysmë-automatike për pozicionin jashtë loje.
Kjo bëri që gjyqtari i VAR-it, Pablo Gonzalez, të detyrohej të vizatonte manualisht vijat e pozicionit jashtë loje nga pamjet e siguruara.
Sipas CTA-së, sistemi gjysmë-automatik nuk arriti të gjeneronte vijat për shkak të dendësisë së lartë të lojtarëve në zonë.
Ata këmbëngulin se vendimi ishte i saktë, pasi topi kishte prekur Robert Lewandowski, duke lëvizur përpara, dhe Cubarsi ndodhej përtej vijës së fundit të mbrojtjes në momentin e prekjes.
Një Barcelonë e zemëruar pritet të paraqesë ankesë edhe në Federatën Spanjolle të Futbollit (RFEF).
Sipas RAC1, drejtuesit katalanas janë thellësisht të irrituar si nga mënyra e menaxhimit të vendimit të VAR-it, ashtu edhe nga fakti që VAR-i nuk i kërkoi gjyqtarit të rishikonte një episod për karton të kuq ndaj Giuliano Simeone./Telegrafi/