Ministria e Punëve të Brendshme ka parashtruar kallëzim penal ndaj ish-drejtoreshës dhe disa punonjësve të Qendrës për Punë Sociale në Tetovë, si dhe ndaj tre personave nga Bogovina.
Sipas MPB-së, ata dyshohen për keqpërdorime në realizimin e të drejtës për kompensim për shkak të paaftësisë.
“SPB-Tetovë ka parashtruar kallëzime penale ndaj H.A. (46) nga Tetova, i punësuar si drejtues i sektorit në Institucionin Publik “Qendra për Punë Sociale” – Tetovë dhe V.A. (49) nga Tetova, drejtor i institucionit, për shkak të ekzistencës së bazave për dyshimin se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe i autorizimit”. Ndaj Q.B.D. (34) nga Tetova, bashkëpunëtor profesional, dhe A.Ļ. (40) nga Tetova, punonjës social në institucion, për “punë e papërgjegjshme në shërbim” dhe ndaj M.N. (57), Sh.S. (52) dhe A.F. (54), të gjithë nga fshati Bogovinë, ekzistojnë baza për dyshim për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumenteve zyrtare” dhe “dhënie deklarate të rreme”.
“Gjatë vitit 2024, i raportuari i parë ka përgatitur dhe miratuar vendime pozitive për realizimin e të drejtës për kompensim për shkak të paaftësisë për një person me paaftësi të rëndë trupore, në emër të personave të pestë dhe të gjashtë, pa kryer më parë verifikimin e nevojshëm, ndërsa e raportuara e dytë, si drejtoreshë ka nënshkruar dhe miratuar vendim pozitiv për të njëjtën bazë, në emër të të raportuarës së shtatë”.
“Personi i tretë dhe i katërt i raportuar, të cilët kanë udhëhequr procedurat për këta persona, nuk kanë kryer kontroll të drejtpërdrejtë në familjen e përfituesit, ndërsa i raportuari i pestë, gjashtë dhe shtatë kanë paraqitur kërkesa para organit kompetent, Qendrës ndërkomunale për Çështje Sociale në Tetovë, duke dhënë deklarata të rreme se përmbushin kushtet për të drejtën për kompensim për paaftësi për person me paaftësi të rëndë trupore, dhe kanë bashkëngjitur edhe dokumente zyrtare të falsifikuara – mendim kosulues, për të cilat pas verifikimeve është konstatuar se këta persona nuk kishin caktuar fare termin”, thonë nga MPB.