Juventus ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Udineses, duke triumfuar me rezultat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 29-të të Serie A.
Rasti i parë serioz i ndeshjes erdhi në minutën e 14-të, kur Jeremie Boga goditi drejt këndit të poshtëm të majtë pas një krosimi brenda zonës, por portieri Maduka Okoye reagoi shkëlqyeshëm duke shpëtuar portën e Udineses.
Megjithatë, presioni i Juventus u shpërblye në minutën e 38-të. Pas një aksioni të bukur nga krahu, Kenan Yildiz dhuroi një asistim të saktë në vijën e portës për Jeremie Boga, i cili nga afër nuk gaboi dhe dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1-0.
Udinese tentoi të reagojë, por pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të bardhezinjve.
Në fillim të pjesës së dytë, trajneri i Juventus, Luciano Spalletti, u detyrua të bëjë një ndryshim të detyruar pasi Khephren Thuram u largua nga fusha për shkak dëmtimi dhe vendin e tij e mori Teun Koopmeiners.
Pak minuta më vonë, Juventus realizoi edhe një gol tjetër, por ai u anulua pas ndërhyrjes së VAR për shkak të pozitës jashtë loje në ndërtimin e aksionit.
Me këtë fitore, Juventus shkon në kuotën e 53 pikëve dhe ngjitet për momentin në vendin e katërt në tabelën e Serie A, duke forcuar pozitat në garën për një vend në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, Udinese mbetet pa pikë nga kjo përballje dhe vazhdon betejën për të përmirësuar pozitën në renditje./Telegrafi/