Joao Cancelo ka inkurajuar hapur bashkëkombësin e tij Bernardo Silva që t’i bashkohet Barcelona këtë verë si lojtar i lirë.
Duke folur për Canal 11, mbrojtësi portugez, aktualisht i huazuar te Barcelona nga Al-Hilal, pranoi se do të donte shumë ta shihte Silvan të transferohej te Barcelona ose Benfica.
“Është e vështirë t’i thuash jo Barcelonës apo Benficës. Do të doja ta shihja të transferohej te Barcelona ose Benfica”, ka thënë Cancelo.
Cancelo shtoi se të luash për Barcelonën është si të luash për Benficën, “e bën nga dashuria”.
Kontrata e Bernardos me Manchester City përfundon në fund të sezonit, ndërsa Juventus është ndër klubet e interesuara për ta transferuar 31-vjeçarin si lojtar të lirë.
Cancelo, kontrata e huazimit të të cilit me Barcelonën zgjat deri në qershor, shprehu gjithashtu lidhjen e tij të fortë me klubin katalanas.
“Kur Barcelona të thërret, nuk mund t’i thuash jo. Ndihem si në shtëpi dhe jam ambientuar shumë mirë”.
Mbrojtësi zbuloi gjithashtu se ka edhe një vit kontratë me Al-Hilal dhe është i hapur si për të qëndruar në Evropë, ashtu edhe për t’u rikthyer në Arabinë Saudite, në varësi të vendimit të klubit.
Për momentin, Cancelo është i fokusuar të ndihmojë Barcelonën në fazën vendimtare të sezonit, ndërsa shpreson që Silva ta ndjekë atë në “Camp Nou”./Telegrafi/