Libri Irani dhe revolucioni: Një histori [Iran and the Revolution: A History] ofron një kontekst shumë të nevojshëm për ngjarjet aktuale.
Nga: John Simpson / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Siç e kuptoi William Wordsworth në Paris, pas vitit 1789, revolucionet në thelb janë magjepsëse. Nuk ka asgjë kaq të patrembur, kaq vetëmohuese, kaq të guximshme, kaq mizore sa një turmë revolucionare. Për më tepër, revolucionet kanë formësuar botën moderne. Bashkimi Evropian është transformuar nga përmbysja e marksizëm-leninizmit në Evropën Lindore, ndërsa revolucioni i papërfunduar në Sheshin e Tienanmenit në vitin 1989 ushqen edhe sot neurozat e Partisë Komuniste Kineze.
Megjithatë, në disa mënyra, një revolucion që ndodhi 10 vjet më herët ka qenë edhe më formues për kohën tonë: përmbysja e shahut në Iran. Ai ishte vërtet një arketip revolucionar sipas modelit të vitit 1789: barrikada në rrugë, turma të armatosura me pushkë të vjetra gjuetie dhe thika kuzhine që përballeshin me tanket (të prodhuara në Britani, natyrisht); pallate, kazerma dhe seli të policisë sekrete të sulmuara dhe të plaçkitura, uniformat e të ashtuquajturve “të pavdekshmëve” të shahut të hedhura në tokë, të braktisura në panik të plotë. Madje, hasa edhe imazhin përfundimtar revolucionar: trupin e një polici fatkeq të varur në një shtyllë ndriçimi. Tronditja në BBC, në Londër, bëri që pamja të mos përdorej.
Përmbysja e dinastisë së shahut kishte rrënjë të thella: imperializmi i rëndë britanik dhe amerikan që shtrihej në dekada, vala e madhe e korrupsionit e krijuar nga rritja e çmimeve të naftës pas vitit 1973, pavendosmëria neurotike e vetë shahut, brutaliteti i [shërbimit sekret] SAVAK-ut (i cili, ashtu si në revolucionet franceze dhe ruse, rezultoi të ishte hije e zbehtë e represionit të regjimit që po vinte).
Kur ndodhi revolucioni, ai elektrizoi myslimanët kudo: ata panë se ishte vërtet e mundur të ngrihesh dhe të përmbysësh instrumentet e zgjedhura të politikës perëndimore. Por, Irani ishte një vend mysliman shiit, jashtë rrjedhës kryesore të politikës dhe mendimit sunit, dhe revolucioni pati efekt veçanërisht të fuqishëm mbi komunitetet shiite, sidomos në Liban, ku shiitët në Jug të vendit kishin qenë shtresë e klasës së ulët që nga Kryqëzatat. Papritmas ata u ndërgjegjësuan për një forcë të re, dhe Hezbollahu u formua për t’i rezistuar ndërhyrjeve të Izraelit. Gjysmë shekulli më vonë, Hezbollahu është një nga armiqtë kryesorë të Izraelit; ndërsa, vetë Irani është përballur me fuqinë e kombinuar të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit dhe ka dëshmuar të jetë një kundërshtar i frikshëm.
Historia e revolucionit iranian është shkruar shumë herë, por nuk kam gjetur një rrëfim kaq të qartë dhe të lirë nga paragjykimet sa ai i Homa Katouzianit. Katouziani është historian i madh, por ai është gjithashtu polimat – ekonomist, politolog dhe kritik i respektuar letrar. Sot ai është figurë e nderuar në Kolegjin e Shën Antonit në Oksford, megjithatë ajo që më pëlqeu veçanërisht ishte momenti i rastësishëm kur ndjen se je në praninë e të riut që ai dikur ishte, duke parë, si William Wordsworth, historinë për të cilën ai një ditë do të bëhej mjeshtër.
Kjo çështja e të qenit vëzhgues është e rëndësishme. Shumë diplomatë britanikë, amerikanë, francezë, gjermanë, ishin mbyllur në ambasadat e tyre duke dëgjuar informacionet qetësuese të prodhuar nga agjencitë e shahut. I vetmi diplomat britanik që njihja dhe që e kuptonte seriozitetin e situatës së shahut ishte një i ri që lejohej të jetonte jashtë ambasadës me të dashurën e tij iraniane. Gazetarët e huaj, të cilët i kalonin ditët duke folur me njerëz të zakonshëm, e parashikuan më qartë shembjen që po vinte. Edhe në nëntor të vitit 1978 disa ambasada perëndimore, përfshirë ato britanike dhe amerikane, po raportonin në kryeqytetet e tyre se, pavarësisht gjithçkaje, shahu do ta mbijetonte revolucionin.
Por, më pas, siç e bën të qartë Katouziani, tronditja politike në Iran nuk u përputh me idetë perëndimore. Irani, shkruan ai, “ishte një shoqëri në të cilën ndryshimi – edhe ndryshimi i rëndësishëm dhe bazik – kishte tendencë të ishte fenomen afatshkurtër. Dhe, kjo pikërisht për shkak të mungesës së një kuadri ligjor të instaluar dhe të pacenueshëm që do të garantonte vazhdimësinë afatgjatë.” Aktualisht, natyrisht, vetë Perëndimi po përballet me një proces disi të ngjashëm në Shtetet e Bashkuara të Donald Trumpit, ku ligji dhe politika duhet të përshtaten me çfarëdo që Trumpi thotë se duhet të jetë në çfarëdo momenti. Por, nëse ka ngjashmëri të rastësishme midis shahut dhe Trumpit, pasiguria gjithëpërfshirëse e shahut nuk ka absolutisht asnjë jehonë në sigurinë e blinduar të Trumpit se ai ka të drejtë, pavarësisht se sa shpesh dhe sa rrënjësisht e ndryshon mendimin. Ajo që i lidh të dy burrat është aftësia e tyre për të qeverisur vetëm sipas kryeneçësisë. Kjo e rrëzoi shahun; shumë lehtë mund t’ia presë krahët presidentit Trump pas zgjedhjeve afatmesme të këtij nëntori.
Të gjitha revolucionet shoqërohen nga një shkallë vetëmashtrimi: pa të, ato nuk do të kishin kurrë sukses. Katouziani jep përshkrimin më të mirë që kam parë të aleancës së çuditshme midis klerit të ashpër ultra-konservator dhe intelektualëve të majtë iranianë të cilët arritën të bindnin veten se kthimi i Ajatollah Khomeinit, në Teheran, do të hapte derën për demokraci, liri të shprehjes dhe socializëm të vërtetë. “Pse jeni kaq optimistë, dreqi e marrtë?” – e pyeta një ish-anëtar të Mexhlisit – ose Parlamentit – të arsimuar në Britani i cili sapo ishte kthyer në apartamentin e tij i djersitur dhe i entuziazmuar nga pritja e Ajatollahut në rrugët e trazuara të Teheranit. “Çdo gjë është më mirë se shahu,” u përgjigj ai, “dhe Khomeini do të jetë i lehtë për t’u anashkaluar. Në fund të fundit, ai është thjesht një plak injorant dhe fanatik.”
Pasi e kisha takuar dhe intervistuar Khomeinin jashtë Parisit në Nuflë-lë-Shato disa javë më parë, nuk isha i bindur – dhe kisha të drejtë. Miku im vdiq në burgun Evin rreth një vit më vonë, në një mënyrë për të cilën preferoj të mos mendoj; Khomeini qëndroi në pushtet deri në vdekjen e tij 10 vjet më vonë dhe la pas sistemin që ka zgjatur, kryesisht i pandryshuar – dhe sigurisht i pamoderuar – deri sot. Siç po e zbulojnë Donald Trumpi dhe Benjamin Netanyahu, thjesht prerja e kokës së regjimit është absolutisht e padobishme. Forca e tij shkon shumë më thellë se kaq.
Shahu u largua nga Irani për herë të fundit më 16 janar 1979, me lotët që i rridhnin në fytyrë ndërsa hipte në aeroplanin që e çoi në mërgim dhe në një vdekje të dhimbshme nga kanceri. Më 1 shkurt, Ajatollah Khomeini fluturoi në të njëjtin aeroport dhe themeloi Republikën Islamike. Përpara qëndronin kaosi, atentatet, terrori dhe një luftë e tmerrshme tetëvjeçare (e inkurajuar nga Perëndimi) me Irakun e Saddam Husseinit. Askush nuk mendonte se revolucioni islamik do të zgjaste aq gjatë sa ka zgjatur. Në vizitat e mia të shpeshta në Iran, përpunova një formulë që mendoja se i përmblidhte gjërat: “Revolucioni ndihet i qëndrueshëm, por jo i përhershëm.” Sigurisht që asgjë nuk është e përhershme, por revolucioni islamik i Iranit ka mbijetuar më gjatë se shumë të tjerë, që nga perestrojka e Gorbaçovit deri te orbanizmi.
Katouziani është po aq largpamës për kontrollin që sistemi iranian ka zhvilluar ndër vite siç është edhe për vetë revolucionin, dhe rrëfimi i tij për gratë e reja që kanë refuzuar ta pranojnë atë sistem është i admirueshëm. Natyrisht, ai do të shembet në një moment, megjithëse Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku, mund t’ia kenë dhënë një forcë të përkohshme të re me sulmet e tyre. Shumica e autokracive rrëzohen në fund nga korrupsioni, dhe ky do të jetë fati edhe i ajatollahëve dhe i Gardës Revolucionare. Procesi ka zgjatur kaq shumë sepse, ndryshe nga shahu, regjimi ka qenë i gatshëm të përdorë dhunën më të skajshme për të qëndruar në pushtet. Në çdo rast, studimi i ngrohtë, racional dhe shumë i qasshëm i Katouzianin do të vazhdojë ta shpjegojë fenomenin shumë kohë pasi ai të ketë zhdukur. /Telegrafi/