Imazhi i pritjes së nënës dhe gruas, nga sot do të shërbejë si thirrje për kujtesë edhe nga kryeqyteti.
Është nëna nga Gjakova, Ferdonije Qerkezi, të cilës 27 vjet më parë forcat policore serbe ia morën dhunshëm katër djemtë dhe bashkëshortin.
Qerkezi dy djem nuk i pret më. Mbetjet mortore të dy prej tyre u gjetën në vitin 2005, ndërsa për fatin e dy djemve të tjerë dhe të bashkëshortit të saj ende nuk dihet asgjë. Ajo nuk e ka mbyllur asnjëherë derën e shtëpisë, me shpresën se një ditë ata do të kthehen.
“Bashkëshorti më ka thirrur dhe më ka thënë se mund të na marrin të gjithëve, prandaj duhet të bëhesh e fortë si guri. Jam bërë e fortë me ndihmën e Zotit dhe nuk e kam mbyllur shtëpinë, e kam lënë të hapur për këdo që vjen. E kam bërë edhe muze, që të mos humbasë gjithçka”, tha Qerkezi.
Ferdonije Qerkezi nuk mungoi as sivjet për të kërkuar drejtësi për të gjithë ata që ende mungojnë.
Ky mural nuk përfaqëson vetëm historinë e Qerkezit, por edhe dhimbjen, pasigurinë dhe shpresën e të gjitha familjeve që ende presin përgjigje.
Një mural që nuk është vetëm imazh apo shprehje artistike, rreth tri dekada pas përfundimit të luftës do të mbetet një thirrje për kujtesë të realitetit historik, për mijëra familje që ende presin të vërtetën për më të afërmit e tyre.