Analisti politik Ylli Hoxha ka deklaruar se, pas zhvillimeve dhe deklaratave të fundit, kryeministri Albin Kurti ka eliminuar nga gara për president dy emra të përfolur publikisht.
I ftuar në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Hoxha u shpreh se nga interpretimi i deklaratave të sotme mund të konstatohet se jashtë garës mbeten presidentja aktuale Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
“Big Brother ka eliminuar nga gara dy kandidatë të cilët i kemi përfolur në këtë studio dhe ajo është Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, përjashtimi i Osmanit lidhet me pamundësinë për të siguruar numrat e nevojshëm në Kuvend, ndërsa për Konjufcën me interpretimin se asnjë anëtar apo aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pretendim për postin e presidentit.
“Pra, ata dy emra nuk janë, sipas meje, në garë”, ka theksuar Hoxha.