Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me kapjen e Nicolas Maduros, duke e cilësuar këtë veprim si një shembull të rëndësishëm të lidershipit global të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe dëshmi të qartë se askush nuk është mbi parimet universale të sundimit të ligjit.
Në një postim publik, Haradinaj theksoi se SHBA-të, nën udhëheqjen e presidentit Donald J. Trump, kanë riafirmuar vendosmërinë për të mos toleruar regjime që mbijetojnë përmes sponsorizimit, bashkëpunimit apo partneritetit me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Sipas tij, ky veprim përçon një mesazh të fuqishëm për përgjegjësi globale dhe për respektimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në ligj.
Haradinaj theksoi gjithashtu se Kosova ka qëndruar dhe duhet të vazhdojë të qëndrojë e rreshtuar krah vlerave dhe parimeve demokratike, si dhe pranë aleatëve të saj strategjikë, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“SHBA-të mbeten garant i lirisë, paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, përfundoi Haradinaj.