Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është deklaruar për media pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja, ndërsa akuzoi Lëvizja Vetëvendosje se mban përgjegjësinë kryesore për faktin që vendi po shkon sërish në zgjedhje.
“Ishim në takimin e ftuar nga presidentja e vendit, diskutuam për datën e mundshme të zgjedhjeve”, tha Hamza.
“Përgjegjësia kryesore bie tek partia më e madhe në vend, pasi vendi mund të kishte president”.
Ai shtoi se PDK-ja ka qenë e gatshme për marrëveshje politike.
“Ne si PDK kemi qenë të hapur që vendi të ketë president. Ne nuk kemi vënë vija të kuqe për asnjë partneritet, por që nuk kemi pranuar asgjë”, potencoi kreu i PDK-së.
“Kërkesa jonë ka qenë e qartë, që të kemi marrëveshje politike, më pas t’i japim emrat për president, por që nuk kishim marrëveshje”.
Hamza theksoi gjithashtu se, sipas tij, nuk ka pasur vullnet për bashkëpunim nga partia më e madhe në vend.
“Fillimisht nuk kishim emra, pasi partia më e madhe nuk dëshironte emra nga partitë. Për më tepër, ata nuk e kanë ftuar as AAK-në në takime”, deklaroi ai.
Në fund, ai u shpreh se PDK-ja do të respektojë çdo vendim të institucioneve.
“Çdo vendim që merret nga Gjykata Kushtetuese, ne do ta respektojmë, por që besojmë se vendimi i Presidentes ishte i duhuri, andaj ne presim datën e zgjedhjeve”, shtoi Hamza. /Telegrafi/