Kombëtarja e Kosovës më 26 mars do të përballet me Sllovakinë në Bratislavë, por “Dardanët” rrezikojnë të jenë pa kapitenin Amir Rrahmani në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Sfida Sllovaki – Kosovë i takon gjysmëfinales së Play-Off për Botërorin që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Mediumi lokal i Napolit, ‘Calcio Napoli 24’ ka raportuar se Rrahmani pritet të mungojë nga tre deri në katër javë, me mundësi që periudha e rikuperimit të zgjasë edhe më shumë.
Mbrojtësi qendror u zëvendësua pas lëndimit të pësuar në ndeshjen që Napoli e zhvilloi kundër Roma fundjavën e kaluar. Në minutën e 69-të ai shkaktoi penallti dhe më pas mbeti i lënduar. Bëhet fjalë për një lëndim muskulor në këmbën e majtë.
“Rrahmani pritet të mungojë për tre deri në katër javë. Për të mos rrezikuar më tej gjendjen e tij, do t’i jepet mundësia të rikthehet në fushë pas ndeshjeve të përfaqësueseve në fund të marsit, në mënyrë që të jetë i gatshëm për ndeshjen e Napolit kundër Milan në fillim të prillit”, ka shkruar “Calcio Napoli 24”.
Sipas të njëjtit medium, paraqitja e tij në gjysmëfinalen e Play-Off ndaj Sllovakisë më 26 mars është seriozisht në dyshim. Stafi i Kosovës ka qenë në kontakt me lojtarin dhe ekziston mundësia që Rrahmani t’i bashkohet ekipit vetëm për të qenë pranë skuadrës dhe për të ngritur moralin, por pa luajtur.
Ndërkohë, Napoli ka konfirmuar se lëndimi është serioz.
“Pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen kundër Romës, Amir Rrahmani iu nënshtrua testeve në Spitalin Pineta Grande, të cilat zbuluan një këputje të shkallës së lartë në muskulin e këmbës së majtë. Ai tashmë ka nisur procesin e rehabilitimit”, thuhet në njoftimin e klubit italian.
Rrahmani edhe më herët gjatë këtij sezoni ka pasur probleme me lëndime muskulore.
Statistikat tregojnë qartë rëndësinë e tij: me Rrahmanin në fushë, Napoli ka pësuar 16 gola në 22 ndeshje, ndërsa pa të, skuadra ka pësuar 26 gola në 15 takime. /Telegrafi/