Gjykata Themelore në Gjakovë, në seancën e mbajtur mbrëmë, ka vendosur të refuzojë kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave nga komuna e Rahovecit, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit.
Sipas Prokurorisë, ekzistonte dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, në Qendrën Komunale të Numërimit në Rahovec, me veprime të kundërligjshme, kishin ndërhyrë në procesin zgjedhor dhe kishin falsifikuar rezultatet, duke cenuar integritetin e votimit dhe vullnetin e lirë të qytetarëve.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe ka vendosur masa alternative: të pandehurit duhet të paraqiten në stacionin policor për një periudhë njëmujore, nga 11 shkurt deri më 11 mars 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës brenda afatit ligjor. /Telegrafi/