Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Emir Sahiti, është larguar nga Izraeli për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë në Lindjen e Mesme dhe aktualisht ndodhet në Kroaci, ku po pret zhvillimet e mëtejshme.
Futbollisti 27-vjeçar i Hamburg u huazua gjatë afatit kalimtar të dimrit te Maccabi Tel Aviv, në kërkim të më shumë minutave në fushë.
Ai u përshtat shpejt me ekipin izraelit, duke shënuar katër gola në pesë ndeshjet e para zyrtare dhe duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Forma e mirë kishte bërë që klubi të konsideronte aktivizimin e klauzolës së blerjes prej rreth 500 mijë eurosh në fund të sezonit. Megjithatë, përshkallëzimi i konfliktit në rajon ndryshoi situatën, pasi sulmet e vazhdueshme me raketa dhe dronë e kanë bërë qëndrimin në Izrael shumë të rrezikshëm.
I shqetësuar për sigurinë e familjes së tij, Sahiti vendosi të largohej nga vendi. Fillimisht ai udhëtoi me makinë drejt Egjiptit së bashku me bashkëshorten dhe vajzën, ndërsa më pas mbërriti në Kroaci përmes Qipros, raporton Bild.
Aktualisht ai po qëndron në Split, qytetin ku më parë ka luajtur për Hajduk Split, duke ndjekur nga afër zhvillimet në atë rajon dhe duke u përpjekur të ruajë formën fizike.
Ndërkohë, kampionati izraelit është pezulluar që nga 28 shkurti. Dy raunde të ligës dhe gjysmëfinalja e Kupës mes Maccabi Tel Aviv dhe Maccabi Haifa janë anuluar, ndërsa ende nuk dihet se kur do të rifillojnë garat. Federata izraelite po shqyrton mundësinë që kampionati të vazhdojë pas pushimit të kombëtareve në fund të marsit.
Sahiti pritet të qëndrojë përkohësisht në Split, duke shpresuar që situata të qetësohet dhe ai t’i rikthehet sa më shpejt futbollit normal. /Telegrafi/