Piktura sfiduese Zonjat e reja të Avinjonit [Les Demoiselles d’Avignon] është urryer dhe admiruar gjerësisht, dhe gjatë dekadave ka mbetur një vepër polemizuese. Një shekull pasi u krijua nga Picasso, artisti i njohur amerikan, Henry Taylor, e rinterpretoi dhe sfidoi veprën – dhe versioni i tij tani ndodhet në qendër të një ekspozite të madhe në Muzeun Kombëtar të Pikasos [Musée National Picasso] në Paris.
Nga: Precious Adesina / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Në vitin 1907, Pablo Picasso ftoi një rreth të vogël artistësh dhe miqsh në studion e tij në Paris. Donte t’u tregonte një pikturë në të cilën kishte punuar për gjashtë muaj. Pothuajse njëzëri, reagimi i kolegëve të tij ishte tronditje, tmerr dhe neveri. Piktori francez, Georges Braque, thuhet se e krahasoi përvojën me pirjen e benzinës, ndërsa Henri Matisse mendohet se i quajti gratë në pikturë “të shëmtuara”. Vepra nuk u shfaq publikisht deri në vitin 1916 – pothuajse një dekadë më vonë.
Më shumë se një shekull më pas, ajo është bërë një nga veprat më të njohura dhe më polemizuese të Picassos. Është rinterpretuar gjithashtu nga piktori i njohur amerikan Henry Taylor. Versioni i tij aktualisht shfaqet në një ekspozitë të madhe në Muzeun Kombëtar të Pikasos në Paris dhe Taylori thekson një pikë kyçe për pikturën origjinale: ajo i ka borxh artit afrikan – shumë më tepër sesa Picasso kishte qejf të pranonte ndonjëherë.
Piktura që Picasso u kishte treguar kolegëve të tij ishte Zonjat e reja të Avinjonit (1907), një pikturë e madhe në vaj ku pesë gra të zhveshura në një bordello në Barcelonë kërkojnë vëmendjen e shikuesit. Dy prej grave kanë fytyra që ngjajnë me maska, tri të tjera e shikojnë drejtpërdrejt vëzhguesin dhe që të gjitha kanë trupa të çrregullt dhe të copëzuar. Ajo shënoi një kthesë të madhe në rrugëtimin krijues të Picassos dhe një largim dramatik nga normat artistike të kohës.
Lexo po ashtu për Pablo Picasson:
– Picasso nuk ishte përbindësh
– Jeff Koons: Bashkëbisedimi im me Pablo Picasson
– Gernika, kryevepra e dhimbjes
– Picasso dhe fotografja Lee Miller
– Picasso dhe Dora Maar: “Gruaja që qan”
– Picasso dhe El Greco, dy shpirtra të ngjashëm të ndarë nga shekujt
– Piktori i luftës
– Historia për pikturën që luftoi fashizmin dhe ekspozita ku arti u shndërrua në mjet politik
“Zonjat e reja të Avinjonit” (1907) e Pablo Picassos fillimisht u prit me neveri – më pas u vlerësua(Foto: Muzeu i Artit Modern, Nju-Jork)
“Picasso u largua nga piktura emocionale dhe figurative drejt copëzimit të formave dhe rishikimit të mënyrës se si paraqiten hapësira dhe trupat,” i thotë BBC-së, Joanne Snrech, kuratore në Muzeun Kombëtar të Pikasos. “Ky ndryshim ishte thelbësor për zhvillimin e kubizmit dhe të artit modern në përgjithësi.”
Zonjat e reja të Avinjonit fillimisht u quajt Shtëpia Publike e Avinjonit [Le Bordel d’Avignon] – deri në vitin 1916, kur titulli u ndryshua për të qenë më pak polemik. Konsiderohet si vepër bazike në lindjen e kubizmit, lëvizjes artistike të shekullit XX e njohur për braktisjen e formave tradicionale realiste të paraqitjes, në favor të formave të fragmentuara dhe gjeometrike.
Ashtu si Picasso në Zonjat, kubizmi bashkoi këndvështrime të shumta të një objekti ose personi në një imazh të vetëm. “Pjesë e asaj që e bëri reagimin kaq të fortë është se Picasso nuk ndryshoi vetëm një gjë: ai ndryshoi gjithçka njëherësh,” thotë Snrech. “Edhe për artistët që tashmë po eksperimentonin me stile të reja, kjo u duk si një hap tepër i madh.”
Por, risitë e Picassos nuk dolën nga hiçi. Disa prej tyre, mund të argumentohet, erdhën drejtpërdrejt nga Afrika.
Disa muaj para krijimit të kësaj pikture, Picasso kishte zhvilluar një interes të veçantë për maskat dhe skulpturat afrikane, nxitur nga një figurinë e vogël – nga ajo që sot është Republika Demokratike e Kongos – të cilën Matisse e kishte blerë në Paris në vitin 1906. Picasso filloi të vizitonte rregullisht seksionin afrikan të Muzeut të Etnografisë së Trokaderos [Musée d’Ethnographie du Trocadéro], duke krijuar qindra skica përgatitore për kryeveprën e tij të re.
Artisti bashkëkohor amerikan Henry Taylor (majtas) ka riimagjinuar dhe vënë në pikëpyetje “Zonjat” e mjeshtrit kubist Picasso(Foto: Getty Images)
“Ajo që e preku nuk ishte vetëm pamja e tyre, por mënyra se si funksiononin: fytyrat janë të thjeshtuara, të deformuara, ndonjëherë mjaft intensive apo edhe shqetësuese,” thotë Snrech. “Ai u frymëzua qartë nga kjo qasje ndryshe ndaj fytyrës njerëzore, e cila i lejoi të largohej nga natyralizmi dhe të shkonte drejt diçkaje më abstrakte dhe më sfiduese.”
Pavarësisht se kjo vepër dhe shumë të tjera u skalitën nga takimet e tij me artin afrikan, dihet se Picasso e minimizoi ndikimin. Ai i tha një kritiku që po punonte në një seri mbi artin afrikan – për një revistë në vitin 1920 – se “nuk kishte dëgjuar kurrë për të.” Ngurrimi i Picassos për të pranuar ndikimin e artit afrikan në punën e tij, ndërkohë që përfitonte drejtpërdrejt prej tij, më vonë shkaktoi akuza për përvetësim kulturor. Kritikat nxjerrin në pah rëndësinë kulturore, fetare dhe shoqërore të objekteve që Picasso vëzhgoi, por me sa duket i shpërfilli, si dhe mënyrën se si kjo ushqeu narrativën më të gjerë të artit afrikan si “primitiv” në atë kohë.
Riimagjinimi i Zonjave
Henry Taylor iu rikthye pikturës ikonike të Picassos gjatë një vizite në Paris për ekspozitën e tij të parë personale në Evropë në vitin 2007 – pothuajse saktësisht një shekull pasi Picasso e kishte krijuar për herë të parë. Versioni i Taylorit, i titulluar Nga Kongo në kryeqytet dhe përsëri i zi [From Congo to the Capital and Black Again] tani ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Pikasos në Paris në kuadër të ekspozitës Henri Tejlori: Ku mendimet provokojnë [Henry Taylor: Where Thoughts Provoke], retrospektiva e tij e parë e madhe në Evropë. Ai e ruan strukturën bazë dhe pozat e pesë grave të zhveshura, si dhe dy fytyrat karakteristike me maska. Por, figurat fillimisht të bardha tani janë të zeza, duke iu referuar haptazi artit afrikan.
I njohur për eksplorimin e jetës së njerëzve me ngjyrë në ShBA, Taylori e riimagjinon kompozimin nga këndvështrimi i tij si artist me një sfond tjetër kulturor dhe shoqëror. “Puna e Taylorit shpesh përqendrohet te njerëzit që historikisht kanë qenë të nënpërfaqësuar, duke u dhënë atyre prani dhe individualitet,” thotë Snrech. “Kur vendosen bashkë, veprat [e Picassos dhe Taylorit] nxjerrin në pah jo vetëm dallimet artistike, por edhe pyetje më të gjera mbi pushtetin, ndikimin dhe atë se historitë e kujt po tregohen.”
“Nga Kongo në kryeqytet dhe përsëri i zi” (2007) i Taylorit aktualisht ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Pikasos në Paris(Foto: Aurélien Mole / Henry Taylor Courtesy)
Por, të dyja veprat nxjerrin në pah edhe një qëndrim të ndryshëm ndaj grave. Marrëdhënia historikisht problematike e Picassos me gjininë e kundërt është e vështirë të ndahet nga jeta e mëvonshme e pikturave të tij. I njohur për një sërë romancash të trazuara, Picasso thuhet se i kishte thënë piktores Françoise Gilot se të gjitha gratë janë ose “perëndesha ose leckë dere” dhe “makineri vuajtjeje”. Për disa kritikë, dhuna e trupave të fragmentuar duket personale dhe jo thjesht estetike.
“Subjekti [një grup grash të zhveshura në një bordello] veçse ishte provokues, por Picasso hoqi çdo butësi,” thotë Snrech. Në versionin më të ri, megjithëse të abstrahuar, trupat e tyre janë më pak të copëzuar – rezultati është më i fuqishëm sesa agresiv.
Figura qendrore e Taylorit qëndron me krahët pjesërisht pas shpinës. Modeli i shkurtër asimetrik i flokëve që ajo mban ngjan me Josephine Bakerin, balerinën dhe këngëtaren amerikano-franceze, e njohur si gruaja e parë me ngjyrë që u bë një superyll me famë botërore. Duke bërë këtë, artisti “sjell në lojë çështjet e identitetit, racës dhe përfaqësimit”, thotë Snrech.
Titulli i Taylorit, Nga Kongo në kryeqytet dhe përsëri i zi (2007), i referohet figurinës kongoleze të Matisseit që nxiti interesin e Picassos për artin afrikan, duke vënë në dukje lëvizjen e saj nga Afrika në Paris. Ai gjithashtu i referohet mënyrës se si vetë Taylori e bëri pikturën “të zezë sërish” duke përfshirë njerëz me ngjyrë. Megjithatë, një krah i shkëputur mashkullor i bardhë me një orë floriri shfaqet gjithashtu në cepin e majtë, duke prekur një nga subjektet. Kjo mund të jetë referencë ndaj dy burrave – një marinar dhe një student mjekësie – që Picasso fillimisht kishte menduar t’i përfshinte në pikturë. “Ai nuk po i referohet vetëm Picassos, ai po e vë në pikëpyetje dhe po e riinterpreton atë,” shton Snrech.
Pavarësisht komentit fillestar që Braque bëri për Zonjat, ai vetë e adoptoi një qasje më këndore në pikturat e tij – menjëherë më pas. Dhe, në vitet ’20 të shekullit XX, ajo që fillimisht kishte shkaktuar neveri te pikturat e Picassos ishte pikërisht ajo që bëri që ato të konsideroheshin kryevepra. Shkrimtari dhe poeti André Breton e quajti pikturën revolucionare, duke e bindur stilistin francez të modës dhe koleksionistin e artit, Jacques Doucet, ta blinte atë. Dhe, në vitin 1939, Muzeu i Artit Modern në Nju-Jork e bleu atë si një vepër kanonike. Ajo ende ndodhet atje edhe sot.
Më shumë se një shekull më vonë, Zonjat e reja të Avinjonit mbetet aq polemike sa artistët vazhdojnë ende të përballen me temat që ajo përmban. Dëshmi, me siguri, e mënyrës se si një pikturë mund të urrehet dhe të admirohet gjerësisht njëkohësisht – dhe të përcaktojë një pikë kthese dramatike në historinë e artit. /Telegrafi/