Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit L.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “kanosje, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 25 janar 2026 në Gjakovë, i pandehuri L.P., pasi u ndalua nga zyrtarët policorë për drejtim të rrezikshëm të automjetit, refuzoi t’u japë dokumentet, i ofendoi dhe i kanosi me jetë; gjatë tentativës për arrestim ai shfaqi rezistencë, nxori një armë zjarri dhe më pas një granatë dore me siguresë të hequr, duke i drejtuar në drejtim të zyrtarëve dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes, me ç’rast u shkaktoi frikë dhe pasiguri serioze, i njëjti u dorëzua më 23 shkurt 2026. Po ashtu, gjatë bastisjes në lokalin e tij “K. K. b. & b.” u gjetën dhe sekuestruan pajisje për përgatitje të narkotikëve dhe rreth 2 gram substancë e dyshuar për marihuanë, me çka dyshohet se ka kryer veprat penale të kanosjes, mbajtjes së paautorizuar të armëve dhe posedimit të paautorizuar të narkotikëve sipas KPRK-së.
Tutje në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, pas mbajtjes s seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
“Me këtë vendim, i pandehurit L.P., do të mbahet n paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 23 shkurt 2026 deri më 25 mars 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/