Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Vjedhje” në komunën e Zveçanit, pas një rasti të ndodhur më 7 prill 2026 në fshatin Rudare e Vogël.
Sipas njoftimit, zyrtarët policorë të stacionit në Zveçan, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore operative, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarit F.S., i lindur në vitin 1988 dhe B.K., i lindur në vitin 1987.
Të dyshuarit dyshohet se kishin vjedhur dy pajisje bujqësore në vlerë rreth 1400 euro.
Pas intervistimit dhe ballafaqimit me provat, ata kanë pranuar kryerjen e veprës penale, ndërsa pajisjet e vjedhura janë gjetur dhe i janë kthyer pronarit.
Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet sipas procedurave ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim. /Telegrafi/