Nga: Daniel McCarthy / New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com
Papa Leo XIV ka të drejtë për nevojën që inteligjenca artificiale (IA) t’i shërbejë së mirës njerëzore – IA-ja duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë morale njerëzore.
Por, të kujt?
Papa paralajmëron kundër grumbullimit të pushtetit në duar private:
Disa kompani, të udhëhequra nga një grusht drejtuesish ekzekutivë dhe anëtarësh bordi, kontrollojnë zhvillimin e IA-së.
Pyetja e vështirë që “Magnifica Humanitas” përpiqet të japë përgjigje është se si IA-ja të bëhet përgjegjëse ndaj autoritetit publik dhe të mirës së përbashkët, jo vetëm ndaj interesave të krijuesve të saj.
Këtu Leo has vështirësi – pikëpamja e tij për politikën është e njëanshme dhe disa dekada pas kohe.
Enciklika është shkruar në gjuhën e liberalizmit të shekullit XX, me Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare që luajnë një rol tepër të madh.
“Organizatat ndërkombëtare, veçanërisht Kombet e Bashkuara, janë instrumente thelbësore për promovimin e një qytetërimi të dashurisë,” shkruan ai në kontekstin e “negocimit të rregullave të përbashkëta mbi përdorimin e teknologjive digjitale, me qëllim të mbrojtjes së civilëve dhe më të pambrojturve nga forma ‘të padukshme’, por reale, të dhunës.”
Leo e krahason IA-në me Kullën e Babelit, megjithatë kjo figurë vlen të paktën po aq edhe për OKB-në.
Duke cituar mësimet e Shën Gjon Palit II dhe Piut XII, Leo pohon se “Kisha e vlerëson demokracinë për aq sa ajo garanton pjesëmarrjen efektive të qytetarëve, u mundëson atyre të zgjedhin dhe zëvendësojnë në mënyrë paqësore udhëheqësit e tyre dhe pengon monopolizimin e pushtetit nga grupe të vogla elitare të motivuara nga interesa të veçanta ose ideologjike.”
Sipas kësaj mase, sa demokratike janë shumica e organizatave ndërkombëtare?
Autoritet më i lartë
“Në një botë ku të dhënat, burimet kompjuterike dhe ndikimi rregullator mbeten në duart e pak njerëzve, të flasësh për të mirën e përbashkët do të thotë të nxjerrësh në pah këtë formë të re të asimetrisë epistemike, ekonomike dhe politike dhe të emërtosh monopolet e reja të IA-së,” shkruan Leo.
Shih ti!
Papa ka plotësisht të drejtë për nevojën e transparencës – nëse duam një IA etike, duhet të dimë se etika e kujt po shkruhet në sistem.
Njerëzit e zakonshëm duhet të dinë se kush në kompanitë e mëdha teknologjike është përgjegjës për mësimin e këtyre makinave dhe për vendosjen e rregullave tek ato, dhe cilat janë ato rregulla.
Dhe, publiku duhet të tregojë skepticizëm të arsyeshëm ndaj rezultateve gjoja objektive që prodhojnë kërkimet me IA – rezultatet përputhen me kriteret dhe pritshmëritë e zgjedhura nga dikush.
Makinat mund të gjenerojnë përgjigjet e veta; ato nuk formulojnë mendim të vetin moral:
“Të ashtuquajturat inteligjenca artificiale nuk kalojnë nëpër përvoja, nuk posedojnë trup, nuk ndiejnë gëzim apo dhimbje, nuk piqen përmes marrëdhënieve dhe nuk e njohin nga brenda se çfarë do të thotë dashuria, puna, miqësia apo përgjegjësia,” shkruan papa.
“As nuk kanë ndërgjegje morale, pasi nuk gjykojnë të mirën dhe të keqen, nuk kuptojnë domethënien përfundimtare të situatave dhe nuk mbajnë përgjegjësi për pasojat.”
Të gjitha këto duhet të sigurohen nga qeniet njerëzore dhe, siç thotë papa, nuk duhet t’u besojmë kompanive teknologjike që t’i vendosin vetë kufijtë e duhur mbrojtës.
Teknologjia është kaq e fuqishme, sa përdorimi i saj duhet të debatohet nga një publik i informuar mirë dhe kompanitë e mëdha teknologjike [Big Tech] duhet t’i japë llogari një autoriteti më të lartë.
Megjithatë, Leo shpesh e minimizon rolin e qeverive kombëtare të zgjedhura në këtë proces, duke favorizuar “përpjekje të reja bashkëpunuese” të paqarta mes “udhëheqësve politikë, organizatave të punës, botës së biznesit dhe komunitetit shkencor.”
Kjo përputhet me besimin e tij te Kombet e Bashkuara kaotike, si edhe me mënyrën se si mendon për atë se “si ndikojnë vendimet legjislative dhe rregullatore në dinjitetin e punës, prosperitetin e përbashkët, uljen e pabarazisë dhe mbrojtjen e mjedisit” në kontekstin e IA-së.
Është një përzierje e pafund interesash dhe agjendash konkurruese që nuk mund të përqendrohen në kohë, ndërsa IA-ja përparon me shpejtësi.
Po aq shpejt sa teknologjia
Leo e vlerëson shpejtësinë me të cilën po zhvillohet teknologjia, por jo nevojën për një “veprim po aq të shpejtë” nga ana e veprimit politik.
Një politikan duhet të jetë në gjendje të veprojë shpejt për të mbajtur hapin me IA-në dhe duhet të ketë një vullnet dhe zë të vetëm – me pak fjalë, ajo që nevojitet është një ekzekutiv i fortë i mbështetur nga autoriteti popullor i një zgjedhjeje kombëtare.
Epoka e IA-së ka pasoja serioze për institucionet qeveritare dhe e bën presidencën më të rëndësishme se kurrë.
Nuk janë Kombet e Bashkuara apo një përzierje amorfe grupesh interesi atyre që Leo duhet t’u drejtohet, por presidentit Trump.
“Magnifica Humanitas” nuk e bën këtë.
Papa nuk do të duhej, dhe nuk duhet, ta reduktonte Doktrinën Shoqërore Katolike sipas Trumpit: për ekonominë, luftën dhe shumë çështje të tjera, ekzistojnë dallime të thella.
Megjithatë, enciklika e Leos shkon përtej pikave të nevojshme të mospajtimit dhe përqafon një agjendë gjerësisht liberale dhe internacionaliste – duke përfshirë edhe ngrohjen globale në listën e saj ideologjike.
Nëse rregullimi i arsyeshëm i IA-së do të ketë sukses, jo vetëm që i duhet mbështetja e Trumpit, por duhet të ketë edhe mbështetjen e votuesve të tij.
Leo duhet të mësojë të flasë gjuhën e tyre nëse dëshiron të ndalë IA-në të marrë kontrollin mbi jetën tonë. /Telegrafi/
